Putin: Rusia do të ngrejë çështjen e testeve bërthamore në bisedimet me SHBA-në
Presidenti rus sinjalizoi gatishmëri për diskutime më të gjera mbi sigurinë evropiane dhe stabilitetin strategjik
Stamboll/Moskë
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do ta hapë çështjen e përgatitjeve për testime bërthamore gjatë negociatave të ardhshme me SHBA-në, ndërsa shprehu gatishmëri për bisedime më të gjera mbi sigurinë evropiane dhe stabilitetin strategjik, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Bishkek, kryeqytetin e Kirgistanit, Putin tha se një delegacion amerikan pritet të mbërrijë në Moskë javën e ardhshme dhe se Rusia planifikon të diskutojë “të gjitha çështjet e stabilitetit strategjik” me Washingtonin.
“Nëse ata nuk duan të bëjnë asgjë lidhur me traktatin ‘New START’, atëherë në rregull”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes që skadon në shkurt.
SHBA-ja dhe Rusia kanë marrëveshje afatgjatë për kontrollin e armëve – Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike (New START) – i cili hyri në fuqi në shkurt 2011.
– Tensionet Rusi-Evropë, negociatat për Ukrainën
Putin tha se Rusia është e gatshme të konfirmojë zyrtarisht se nuk ka qëllim të sulmojë Evropën.
“Nëse duan ta dëgjojnë nga ne, le ta bëjmë. Do ta vendosim në letër, pa problem”, tha ai.
Ai shtoi se negociatat për propozimet e lidhura me Ukrainën do të udhëhiqen nga Ministria e Jashtme, ku ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky do të jetë përfaqësuesi kryesor, ndërsa Yuri Ushakov do të koordinojë kontaktet me palën amerikane.
Putin tha se draftplani i diskutuar pas bisedimeve në Gjenevë duhet të përkthehet në një formulim diplomatik, duke shtuar se “çdo fjalë ka rëndësi.”
Ai kujtoi se Rusia kishte propozuar bisedime për çështje strategjike gjatë administratave të mëparshme amerikane, por diskutimet ishin bllokuar nga Washingtoni.
Putin përsëriti se Rusia dëshiron të arrijë një marrëveshje me Ukrainën, megjithëse aktualisht kjo është “ligjërisht e pamundur” dhe se çdo vendim duhet të marrë njohje ndërkombëtare.
Ai konfirmoi se Rusia dhe SHBA-ja janë të gatshme të diskutojnë “çështje specifike” të stabilitetit strategjik, duke thënë se pala amerikane duket se po merr parasysh pozicionin e Moskës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
