Putin: Nuk ka nevojë për trupa të huaja në Ukrainë pas marrëveshjes së paqes
"Nëse arrihen marrëveshje që çojnë në paqe, në paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh asnjë kuptim në praninë e tyre në territorin ukrainas", tha Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Moskë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nuk do të ketë më nevojë për të vendosur trupa të huaja në Ukrainë pasi të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, raporton Anadolu.
Duke komentuar takimin e së enjtes në Paris të "Koalicionit të të Gatshmëve", një grup vendesh që ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe premtojnë dërgimin e trupave pas një armëpushimi, në një seancë plenare të Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok, Putin tha se nëse trupat e huaja vendosen në Ukrainë, ato do të jenë një objektiv legjitim për ushtrinë ruse.
"Lidhur me kontingjentet e mundshme ushtarake në Ukrainë, nëse ato shfaqen sot në Ukrainë, ato do të jenë një objektiv legjitim për ushtrinë ruse", tha ai.
"Nëse arrihen marrëveshje që çojnë në paqe, në paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh asnjë kuptim në praninë e tyre në territorin ukrainas. Kaq. Sepse nëse arrihen këto marrëveshje, askush nuk dyshon se Rusia do t'i përmbushë ato plotësisht", shtoi Putin.
Putin përsëriti ftesën e tij drejtuar Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t'u takuar në Moskë, duke e quajtur kryeqytetin rus si "vendi më i mirë" për një takim të tillë.
"Nëse dikush dëshiron vërtet të takohet me ne, ne jemi gati. Vendi më i mirë për këtë është kryeqyteti i Federatës Ruse, qyteti hero Moska", tha ai.
Putin tha se jo shumë kohë më parë Kievi përjashtoi mundësinë e kontakteve me Rusinë, por tani po kërkon bisedime.
Duke iu drejtuar shqetësimeve të mundshme për sigurinë e delegacionit ukrainas, Putin u zotua të garantojë plotësisht sigurinë e tij.
"Pala ukrainase e dëshiron këtë takim dhe po e propozon këtë takim. Unë thashë: 'Jam gati, ju lutem, ejani. Ne do të sigurojmë absolutisht kushtet për punë dhe siguri. Garancia është njëqind për qind'", theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Putin i përshkroi kërkesat e Ukrainës për të zgjedhur vendin e takimit si "të tepërta".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.