Putin: Moska mbështet programin bërthamor paqësor të Iranit, kundërshton armatosjen
Putin tha se Rusia mbështet të drejtën e Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore, duke theksuar se agjencia IAEA nuk ka gjetur prova që sugjerojnë se Teherani kërkon të ndërtojë armë bërthamore

Stamboll
Presidenti rus, Vladiimir Putin, ka riafirmuar kundërshtimin e Moskës ndaj përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë çdo përvetësim të mundshëm nga Irani, transmeton Anadolu.
Putin për ‘Sky News Arabia’ tha se Rusia mbështet të drejtën e Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore, duke theksuar se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka gjetur prova që sugjerojnë se Teherani kërkon të ndërtojë armë bërthamore.
“Fetvaja në Iran që ndalon armët bërthamore është me rëndësi të madhe”, tha Putin, duke theksuar vendimin fetar si një element kyç në qëndrimin e Iranit.
Putin gjithashtu tha se Rusia është e përgatitur të ndihmojë Iranin në zhvillimin e programit të tij bërthamor civil.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa lokacione në të gjithë Iranin, duke përfshirë objektet ushtarake dhe bërthamore, duke e çuar Teheranin të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet me raketa iraniane, ndërkohë sipas raportimeve në mediat iraniane, të paktën 639 persona janë vrarë dhe mbi 1.300 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Iran.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.