Bota

Putin: F-16 ukrainas do të jenë objektivi ynë legjitim në aeroportet e vendeve të treta

Presidenti rus, Putin tha se avionët luftarakë F-16 që do t'i jepen Ukrainës do të jenë objektiva legjitime kudo që të jenë nëse përdorin aeroportet e vendeve të treta kundër Rusisë

Ali Cura  | 28.03.2024 - Përdıtësım : 29.03.2024
Putin: F-16 ukrainas do të jenë objektivi ynë legjitim në aeroportet e vendeve të treta

Moskë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se avionët luftarakë F-16 që do t'i jepen Ukrainës do të jenë objektiva legjitime kudo që të jenë nëse përdorin aeroportet e vendeve të treta kundër Rusisë, transmeton Anadolu.

Putin vizitoi qendrën e trajnimit të aviacionit ushtarak të Ministrisë ruse të Mbrojtjes në rajonin Tver. Duke biseduar me pilotët ushtarakë këtu, Putin deklaroi se njësia e aviacionit të ushtrisë ruse punoi në mënyrë të përsosur në konfliktin në Ukrainë dhe kontribuoi në rezultat.

Ai tha se ka fluturuar disa herë me avion luftarak dhe se puna e pilotëve të avionëve luftarakë është e vështirë. Putin theksoi se bombarduesit rusë Su-34, avionët luftarakë të modelit të ri Su-30 dhe Su-57 bënë një punë shumë të mirë në zonën e konfliktit.

- "Ne do të shkatërrojmë avionët F-16 njëjtë si armët e tjera"

Duke bërë vlerësime për planin e vendeve perëndimore për t'i dhënë Ukrainës avionë luftarakë F-16 dhe trajnimin e pilotëve ukrainas, Putin tha: "Kjo nuk do të ndryshojë asgjë në zonën e konfliktit. Ne do të shkatërrojmë avionët (modeli F-16) ashtu siç shkatërrojmë tanket, automjetet e blinduara dhe pajisjet e tjera ushtarake, përfshirë sisteme të shumta lëshimi".

Ai vuri në dukje se avionët luftarakë F-16 kanë aftësinë për të mbajtur armë bërthamore dhe se do ta kenë parasysh këtë kur të luftojnë këta avionë. "Sigurisht, nëse këta avionë përdoren nga aeroportet e vendeve të treta, ata do të bëhen objektiv legjitim për ne kudo që ata ndodhen", tha Putin.

- "Më shqetësojnë deklaratat se Rusia u përket vetëm rusëve"

Putin shprehu shqetësimin e tij për deklaratat e disa shovinistëve se "Rusia u përket vetëm rusëve". Putin tha se njerëz të tillë ka kudo dhe në çdo shoqëri.

Ai tha se duhet patur kujdes përpara se të thuhet një gjë e tillë. "Unë shqetësohem kur thonë se Rusia është vetëm për rusët. Nëse kemi parasysh se në territorin e vendit jetojnë 190 grupe etnike dhe disa kombësi përfaqësohen nga miliona njerëz. Që nga momenti kur fillojmë të zbatojmë këto ide shkatërruese se të gjithë këtu janë të huaj, do të shkatërrojmë vendin dhe viktima e vërtetë do të jetë populli rus", tha Putin.

- "Ne duhet të respektojmë anëtarët e feve të tjera"

Presidenti rus Putin potencoi se nuk duhet harruar kurrë se Rusia është vend shumëkombësh dhe multifetar. Ai nënvizoi nevojën për të qenë të kujdesshëm në këtë drejtim. "Ne duhet t'i trajtojmë gjithmonë me respekt vëllezërit dhe motrat tona të feve të tjera, domethënë muslimanët, hebrenjtë dhe të tjerët, dhe ne tashmë jemi duke e bërë këtë", tha ai.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın