Putin emëron zëvendësministrin e Jashtëm ambasador të Rusisë në Turqi
Sergey Vershinin, ka mbajtur pozicione të ndryshme në misionet diplomatike ruse në Marok, Algjeri dhe Tunizi dhe pozicione të ndryshme brenda Ministrisë së Jashtme
Stamboll
Presidenti rus, Vladimir Putin, emëroi të premten zëvendësministrin e Jashtëm, Sergey Vershinin, ambasadorin e ri të vendit në Turqi, transmeton Anadolu.
Shkarkimi i Vershinin nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm dhe emërimi i tij si ambasador në Turqi u bë zyrtar me anë të dekreteve presidenciale të postuara në portalin e qeverisë ruse.
Emërimi i tij vjen pesë muaj pasi ish-ambasadori në Turqi, Alexey Yerkhov, u bë ambasador në Tashkent me dekret presidencial më 5 shtator.
Misioni diplomatik i Rusisë në Ankara që atëherë drejtohej nga i Ngarkuari me Punë i përkohshëm Alexey Ivanov.
Në një dekret të veçantë, Putin emëroi zëvendësministër të Jashtëm, ambasadorin e Rusisë në Egjipt, Georgy Borisenko.
I lindur në vitin 1954, Vershinin u diplomua nga Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës në vitin 1976 dhe nga akademia diplomatike e Ministrisë së Jashtme në vitin 1991.
Ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në misionet diplomatike ruse në Marok, Algjeri dhe Tunizi, duke shërbyer si ambasador në Algjeri nga viti 1999 deri në vitin 2003.
Që nga viti 2004, ai mbajti pozicione të ndryshme brenda Ministrisë së Jashtme, ndërsa shërbeu edhe si zëvendësministër nga viti 2018 deri në emërimin e tij të fundit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
