Putin dhe Orban diskutojnë për Iranin dhe Lindjen e Mesme
Dy liderët shqyrtuan bashkëpunimin aktual ruso-hungarez gjatë një bisede telefonike
Stamboll
Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez Viktor Orban zhvilluan sot bisedë telefonike lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në Iran dhe Lindjen e Mesme pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën një fushatë ushtarake, tha Kremlini, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate, të dy liderët shqyrtuan bashkëpunimin aktual ruso-hungarez dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve të tyre më 28 nëntor 2025 në Moskë. Putini theksoi mbështetjen e Hungarisë për zgjidhje politike dhe diplomatike në Ukrainë dhe angazhimin e saj për qasje të ekuilibruar dhe sovrane në çështjet ndërkombëtare.
"Palët gjithashtu prekën çështjet që lidhen me qytetarët hungarezë të mobilizuar në forcat e armatosura ukrainase dhe të kapur nga Rusia", tha deklarata.
Putini dhe Orbani zhvilluan bisedime "shumë pozitive" në Moskë në nëntor të vitit të kaluar, me Budapestin që tha se furnizimet e saj afatgjata me energji nga Rusia janë të garantuara.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto kishte thënë pas takimit se Putini konfirmoi se Rusia do të dorëzojë vëllime të kontraktuara të naftës dhe gazit në Hungari në kohë përmes tubacioneve "Druzhba" dhe "TurkStream".
Ai tha se të dyja palët ranë dakord të "përshpejtojnë ndjeshëm" ndërtimin e centralit bërthamor "Paks" dhe se puna do të fillojë në shkurt.
