Bota

Putin-Biden riafirmojnë angazhimin "që asnjëherë të mos niset luftë bërthamore"

Rusia dhe SHBA-ja kanë treguar se edhe në kohë tensioni, ata mund të bëjnë përparim drejt qëllimeve të përbashkëta për të siguruar parashikueshmëri në sferën strategjike, thuhet në një deklaratë të përbashkët

Bayram Altuğ   | 16.06.2021
Putin-Biden riafirmojnë angazhimin "që asnjëherë të mos niset luftë bërthamore"

Gjenevë

Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë riafirmuar angazhimin e vendeve të tyre që “asnjëherë të mos niset një luftë bërthamore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët të dakorduar midis dy vendeve pas samitit Biden-Putin në Gjenevë të Zvicrës, sipas Kremlinit, thuhet se Rusia dhe SHBA-ja kanë treguar se edhe në kohë tensioni, ata mund të bëjnë përparim drejt qëllimeve të përbashkëta për të siguruar parashikueshmëri në sferën strategjike, duke zvogëluar rreziqet e konfliktit të armatosur dhe kërcënimin e luftës bërthamore.

Duke theksuar se Marrëveshja e Re për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START) midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është zgjatur së fundmi, deklarata thotë: “Zgjatja e ‘New START’ është një dëshmi e angazhimit tonë për kontrollin e armëve bërthamore. Sot, ne riafirmojmë se nuk do të ketë fitues në luftën bërthamore dhe zotimin që një luftë e tillë nuk duhet të fillojë kurrë”.

Në deklaratë thuhet se konsultimet gjithëpërfshirëse midis Rusisë dhe SHBA-së do të fillojnë në një kohë të shkurtër për të arritur qëllimet e përmendura.

“Do të fillojë një dialog dypalësh solid dhe i fortë, gjithëpërfshirës mbi stabilitetin strategjik. Përmes këtij dialogu, ne duam të hedhim bazat për kontrollin e armëve në të ardhmen dhe masat e zvogëlimit të rrezikut”, thuhet në deklaratë.

- Putin: Takmi ishte “mjaft konstruktiv”

Pas samitit me homologun amerikan, Putin deklaroi se takimi ishte “mjaft konstruktiv”, duke shtuar se me Presidentin e SHBA-së kanë rënë dakord në lidhje me fillimin e konsultimeve në fushën e sigurisë kibernetike.

Ai po ashtu njoftoi se janë marrë vesh për rikthimin e ndërsjellë në detyrë të ambasadorëve, të cilët më herët janë thirrur mbrapa për konsultime.

Putin tha se vendi i tij mund të bëjë disa lëshime për sa u përket të burgosurve amerikanë në Rusi.

- Biden: Shpreha shqetësimet e mia mbi të drejtat e njeriut

Nga ana tjetër, Biden tha se ka deklaruar para homologut rus Putin se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë apo ndonjë vendi tjetër, por është për popullin amerikan”.

Ai shtoi se Putinit i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me të drejtat e njeriut dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, duke përmendur edhe rastin e liderit opozitar të burgosur Alexey Navalny.

“Unë thash hapatzi se në rast se Navalny vdes gjatë burgimit, kjo do të ketë pasoja shkatërruese për Rusinë”, u shpreh Biden.

Biden tha se kanë rënë dakord për të krijuar një mekanizëm dialogu për stabilitetin strategjik, për të parandaluar përhapjen e armëve të reja dhe të sofistikuara.

Biden gjithashtu deklaroi se ia ka bërë të qartë Putinit se SHBA-ja nuk do të tolerojë përpjekjet për shkeljen e "sovranitetit të saj demokratik ose destabilizimit të zgjedhjeve demokratike".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın