Bota

Protestë “Liri për DC-në” në Washington, kërkojnë tërheqjen e Gardës Kombëtare

Protestuesit u grumbulluan nën moton e lëvizjes Liri për DC-në (Free DC), duke kritikuar rolin e zgjeruar të agjencive federale të zbatimit të ligjit në kryeqytetin amerikan

Abdulbesar Ademi  | 23.08.2025 - Përdıtësım : 23.08.2025
Protestë “Liri për DC-në” në Washington, kërkojnë tërheqjen e Gardës Kombëtare Foto: Yasin Öztürk/AA

Washington

Shumë demonstrues u mblodhën në Washington për të kërkuar tërheqjen e trupave të Gardës Kombëtare dhe agjentëve federalë të emigracionit nga qyteti, teksa tensionet u rritën pas një urdhri federal që vendosi policinë lokale nën kontroll kombëtar, raporton Anadolu.

Protestuesit u grumbulluan nën moton e lëvizjes Liri për DC-në (Free DC), duke kritikuar rolin e zgjeruar të agjencive federale të zbatimit të ligjit në kryeqytetin amerikan.

Më herët këtë muaj, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli një “gjendje emergjence për krimin” në Washington DC, duke vendosur Departamentin e Policisë Metropolitane nën kontroll federal dhe duke dislokuar 800 trupa të Gardës Kombëtare për të patrulluar rrugët e kryeqytetit.

Pas aktivizimit nga Trump të rreth 800 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare, guvernatorët e Karolinës së Jugut, Virxhinias Perëndimore, Ohajos, Misisipit, Tenesit dhe Luizianës autorizuan dërgimin e trupave shtesë nga shtetet e tyre.

Autoritetet federale kanë bërë 550 arrestime që nga fillimi i operacionit më 7 gusht, duke pretenduar ulje të ndjeshme të krimeve të dhunshme dhe grabitjeve. Fushata ka përfshirë gjithashtu shpërbërjen e dhjetëra kampeve të të pastrehëve në të gjithë kryeqytetin.

Vendimi mundëson vendosjen e pothuajse 2 mijë trupave në Washington DC për të kryer operacione të zgjeruara në të gjithë qytetin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın