Protestuesit pro-palestinezë tubohen në Romë, kërkojnë që Izraeli të ndërpresë bllokadën ndaj Gazës
- Protestuesit kritikuan Këshillin e qytetit të Romës për heshtjen dhe bënë thirrje për ndërprerjen e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.

Shkup
SHKUP (AA) - Protestuesit pro-palestinezë organizuan një konvoj nëpër qendër të kryeqytetit të Italisë, Romës, të mërkurën më 30 korrik, duke kërkuar ndërprerjen e bllokadës së Gazës nga Izraeli, raporton Anadolu.
Qindra pjesëmarrës u nisën nga selia e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), duke valëvitur flamuj palestinezë, duke u rënë borive dhe duke rrahur tenxheret dhe tiganët teksa lëviznin nëpër qytet me automjete, motoçikleta dhe biçikleta.
Protesta denoncoi përdorimin e urisë si armë kundër popullsisë civile të Gazës. Protestuesit kritikuan Këshillin e qytetit të Romës për heshtjen dhe bënë thirrje për ndërprerjen e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.
Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60.100 palestinezë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Të hënën, grupet izraelite të të drejtave të njeriut "B'Tselem" dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor të territorit.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.