Bota

Protestuesit mblidhen në Londër kundër sulmeve izraelite në Gaza

Demonstruesit kërkuan nga qeveria britanike të pezullojë shitjet e armëve në Izrael dhe të ndërmarrë hapa konkrete për t'i dhënë fund dhunës së vazhdueshme kundër palestinezëve

Abdulbesar Ademi  | 31.10.2025 - Përdıtësım : 31.10.2025
Protestuesit mblidhen në Londër kundër sulmeve izraelite në Gaza Foto: Raşid Necati Aslım/AA

Londër

Qindra njerëz janë mbledhur në hyrje të rrugës "Downing Street" në Londër, ku ndodhen zyrat qeveritare, për të protestuar kundër sulmeve ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës që vazhdojnë pavarësisht armëpushimit, raporton Anadolu.

Demonstruesit kërkuan nga qeveria britanike të pezullojë shitjet e armëve në Izrael dhe të ndërmarrë hapa konkret për t'i dhënë fund dhunës së vazhdueshme kundër palestinezëve.

Që nga fillimi i marrëveshjes së armëpushimit në Gaza më 10 tetor, Hamasi ka liruar 20 pengje të gjalla izraelite dhe ka dorëzuar eshtrat e 19 nga 28 prej tyre, shumica izraelitë. Megjithatë, Izraeli pretendon se një nga trupat e marrë nuk përputhej me asnjë nga pengjet e listuara prej tij.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Izraeli ka vrarë të paktën 211 palestinezë dhe ka plagosur 597 të tjerë që nga fillimi i armëpushimit. Izraeli e ka kushtëzuar fillimin e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit me dorëzimin e të gjitha mbetjeve të pengjeve ndërsa Hamasi thotë se procesi kërkon kohë për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.

Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të gati 2 mijë të burgosurve palestinezë. Plani parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në enklavë ka vrarë të paktën 68.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur mbi 170.600 të tjerë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.