Protestuesit bllokojnë rrugët në Tel Aviv, kërkojnë marrëveshje për lirimin e izraelitëve në Gaza
Protestuesit u mblodhën mëngjesin e sotëm në Rrugën Rokah duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje për një marrëveshje për të siguruar lirimin e izraelitëve në Gaza
Tel Aviv
Protestuesit izraelitë kanë bllokuar një rrugë kryesore në kryeqytetin Tel Aviv, duke kërkuar kthimin e izraelitëve të mbajtur peng në Gaza, raporton Anadolu.
Protestuesit u mblodhën mëngjesin e sotëm në Rrugën Rokah duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje për një marrëveshje për të siguruar lirimin e izraelitëve në Gaza.
Ata brohoritnin slogane duke kërkuar nga qeveria të arrijë një marrëveshje shkëmbimi pengjesh pa vonesë.
Krahas bllokimit të rrugëve në Tel Aviv, raportohet se u mbajtën grevë në disa institucione izraelite.
Izraeli vlerëson se rreth 50 pengje mbeten në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë. Në të njëjtën kohë, më shumë se 10.800 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, ku grupet e të drejtave të njeriut raportojnë tortura të përhapura, uri dhe neglizhencë mjekësore që kanë marrë shumë jetë.
Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar me luftën brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61.900 palestinezë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
