Politikë, Bota

Protesta në Uganda kundër arrestimit të kandidatit presidencial, 3 të vdekur dhe 34 të plagosur

Kyagulanyi, i njohur gjerësisht si Bobi Wine, u arrestua dje me pretendimin për shkelje të udhëzimeve elektorale të cilat kërkojnë që kandidatët të mos kenë më shumë se 200 mbështetës në tubim në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID-19

Hassan Isilow  | 19.11.2020 - Përdıtësım : 19.11.2020
Protesta në Uganda kundër arrestimit të kandidatit presidencial, 3 të vdekur dhe 34 të plagosur

South Africa

Policia në Uganda ka konfirmuar se tre persona u vranë dhe 34 të tjerë janë plagosur në protestat që shpërthyen në kryeqytetin Kampala dhe në qendra të tjera urbane pas arrestimit të kandidatit presidencial Robert Kyagulanyi, i njohur gjerësisht si Bobi Wine, raporton Anadolu Agency (AA).

"Fatkeqësisht tre jetë të pafajshme kanë humbur si pasojë e kacafytjeve të dhunshme në qytet. Ne u shprehim ngushëllime familjeve të tyre", tha në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i policisë, Fred Enanga.

Enanga po ashtu njoftoi se gjithsej 34 persona pësuan lëndime gjatë konfrontimeve të dhunshme dhe u dërguan në spitalin kombëtar Mulago për kujdes të mëtejshëm mjekësor.

Kyagulanyi u arrestua dje në Ugandën lindore me pretendimin për shkelje të udhëzimeve elektorale të cilat kërkojnë që kandidatët të mos kenë më shumë se 200 mbështetës në tubim në mënyrë që të frenohet përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19).

Protestat shpërthyen menjëherë në të gjithë vendin pasi doli lajmi se Kyagulanyi ishte arrestuar. Përkrahësit e tij bllokuan rrugët dhe dogjën goma, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Enanga tha se Task-Forca e Përbashkët e Sigurisë nuk mund të lejonte që akte të tilla dhune të kryera nga mbështetësit e opozitës të kalojnë në një krizë civile.

"Reagimi ynë i shpejt, monitorimi nga kamerat dhe ekipet e shpërndarjes së turmave arritën t'u japin fund grupeve të dhunshme me gaz lotsjellës dhe armë të tjera jo-vdekjeprurëse. Disa të dyshuar janë arrestuar dhe do të kontrollohet pasi të normalizohen operacionet", tha ai.

Burime në kryeqytetin Kampala për AA njoftuan se disa pjesë të qytetit ngjajnë me një zonë lufte pasi protestuesit digjnin goma dhe luftonin me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe shok-bomba.

Policia tha se një tjetër kandidat presidencial, Patrick Oboi Amuriat i partisë Forumi për Ndryshim Demokratik (FDC) po ashtu u arrestua dje në veri të Ugandës përderisa po planifikonte të mbante një procesion të paautorizuar në qytetin Gulu.

Për postin më të lartë të Ugandës janë gjithsej 11 kandidatë. Populli i Ugandës do të votojë për president, anëtarët e parlamentit dhe përfaqësuesit e qeverisë lokale më 14 janar të vitit të ardhshëm.

38-vjeçari Kyagulanyi, një yll popi i kthyer në politikan, shihet si fytyrë e re e opozitës së Ugandës dhe si një kërcënim i madh për presidentin 76-vjeçar Yoweri Musevini, i cili është në pushtet që nga viti 1986.

Kyagulanyi u bashkua me politikën rreth 5 vite më parë pasi u zgjodh anëtar i parlamentit për zonën elektorale Kyadondo Lindore.

Ai ka premtuar se do të ndryshojë jetën e të rinjve, të nëpërkëmburve dhe të atyre që jetojnë në lagje të varfëra.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.