Bota

Protesta në Paris kundër vrasjes së gazetarëve të Gazës nga Izraeli

Gjatë protestës u lexua me zë të lartë testamenti i shkruar nga korrespondenti i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, përpara vdekjes së tij

Abdulbesar Ademi  | 13.08.2025 - Përdıtësım : 13.08.2025
Protesta në Paris kundër vrasjes së gazetarëve të Gazës nga Izraeli Foto: Ümit Dönmez/AA

Paris

Mbështetësit pro-palestinez u mblodhën në Sheshin Edmond-Michelet në Paris për të përkujtuar gazetarët që humbën jetën në sulmet izraelite në Gaza, raporton Anadolu.

Duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Ndalo gjenocidin. Heshtja vret” dhe “Anas al-Sharif, gazetar i vrarë nga Izraeli në Gaza”, protestuesit thërrisnin slogane si “Jemi krenarë për gazetarët palestinezë” dhe “Ka gjenocid në Gaza: Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur”.

Gjatë protestës u lexua me zë të lartë testamenti i shkruar nga korrespondenti i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, përpara vdekjes së tij.

Al-Sharif u vra në një sulm të drejtpërdrejtë izraelit ndaj një tende gazetarësh pranë Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës. Disa pjesëmarrës nuk i mbajtën dot lotët teksa dëgjonin leximin e testamentit.

Folësit në aktivitet theksuan rolin jetik të gazetarëve palestinezë në përcjelljen e zhvillimeve në rajon tek opinioni publik ndërkombëtar dhe dënuan vrasjen e tyre nga Izraeli në Gaza.

- “Të shënjestruar me qëllim”

Fatiha, një ekonomiste që mori pjesë në demonstratë, tha për Anadolu se ka tentuar të marrë pjesë në protesta për Gazën që nga tetori i vitit 2023. Ajo tha se Izraeli bombardoi gazetarët që strehoheshin në një tendë, duke shtuar se për gjashtë gazetarët palestinezë të vrarë më 10 gusht, përfshirë al-Sharif dhe Mohammed Quraikah të Al Jazeera-s, “ata u shënjestruan me qëllim”.

Duke theksuar se gazetarët në Gaza janë të vetmit që mund të ofrojnë informacion mbi situatën, ajo duke iu referuar autoriteteve izraelite tha se “ata nuk po lejojnë gazetarë të huaj të hyjnë, nuk po lejojnë askënd të hyjë”.

Pas këtij sulmi, numri i gazetarëve të vrarë nga Izraeli që nga fillimi i luftës është rritur në 238.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.