Protesta në kryeqytetin Nairobi, kërkohet dorëheqja e një zyrtari të lartë pas vdekjes së një influenceri
Tensionet u përshkallëzuan derisa të rinjtë protestues sulmuan oficerët e policisë me gurë, duke çuar që policia të përdorë gaz lotsjellës në beteja që zgjatën me orë të tëra

Nairobi
Qindra protestuar kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit kenian Nairobi, duke kërkuar dorëheqjen e një zyrtari të lartë të policisë pas vdekjes së mësuesit të njohur, blogerit dhe influencerit Albert Ojwang derisa ishte në paraburgim policor, raporton Anadolu.
Demonstruesit që mbanin flamuj kenian dhe pankarta të ndryshme që bënin thirrje për dorëheqjen e zv/inspektorit të përgjithshëm, Eliud Lagat, bllokuan rrugët kryesore në qendrën e kryeqytetit Nairobi, duke dëmtuar trafikun dhe duke detyruar shumë biznese të mbyllen.
Protestuesit marshuan nëpër rrugë, shumë prej tyre të mbështjellë me flamuj kenianë, duke kënduar për drejtësi dhe duke mbajtur pankarta “Mos na vrisni më”.
Tensionet u përshkallëzuan derisa të rinjtë protestues sulmuan oficerët e policisë me gurë, duke çuar që policia të përdorë gaz lotsjellës në beteja që zgjatën me orë të tëra, ndërkohë që protestuesit brohorisnin slogane uniteti.
Në pjesën kryesore të trazirave ishin thirrjet për drejtësi për Ojwang, një mësues i shndërruar në komentator online, i cili u arrestua fundjavën e kaluar pasi postoi në rrjetet sociale një koment kritik për zv/inspektorin e përgjithshëm.
Derisa ishte në paraburgim policor, ai ndërroi jetë në rrethana të paqarta deri më tani.
Zemërimi i shtuar publik vjen mes hetimeve të vazhdueshme nga Autoriteti i Pavarur i Mbikëqyrjes së Policisë (IPOA) për vdekjen e influencerit Ojwang.
IPOA tashmë ka pezulluar disa oficerë të lidhur me rastin, por aktivistët dhe grupet e shoqërisë civile kërkojnë përgjegjësi të plotë, përfshirë shkarkimin e vetë zv/inspektorit të përgjithshëm.
Koha e protestës gjithashtu përkoi me prezantimin e buxhetit të Kenias për vitin 2025/2026 nga sekretari i Kabinetit të Thesarit, John Mbadi.
Protesta vjen pothuajse saktësisht një vit pasi demonstratat vdekjeprurëse antiqeveritare tronditën Nairobin dhe qytete të tjera gjatë sezonit të buxhetit 2024, kur zemërimi për rritjen e taksave dhe koston e jetesës nxori mijëra njerëz në rrugë.
Presidenti i Kenias, William Ruto, e ka dënuar incidentin si “zemërthyes dhe të papranueshëm” dhe ka bërë thirrje për një “hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm” për vdekjen e mësuesit Ojwang në duart e policisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.