Protesta në Berlin kundër shtypjes së akademikëve dhe artistëve pro-palestinezë
Duke mbajtur flamuj palestinezë dhe fotografi të shkencëtarëve të vrarë nga Izraeli, turma brohoriti parulla duke kritikuar qeverinë gjermane për furnizimin me armë të Izraelit

Berlin
Protestuesit u tubuan në Berlin për të denoncuar kufizimet ndaj akademikëve dhe artistëve pro-palestinezë, duke akuzuar autoritetet dhe institucionet për heshtjen e zërave disidentë mbi luftën në Gaza, raporton Anadolu.
Protestuesit u bënë thirrje institucioneve gjermane të ndërpresin bashkëpunimin me organizatat izraelite dhe kërkuan t’i jepet fund pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.
Duke mbajtur flamuj palestinezë dhe fotografi të shkencëtarëve të vrarë nga Izraeli, turma brohoriti parulla duke kritikuar qeverinë gjermane për furnizimin me armë të Izraelit.
Demonstrata, ku mori pjesë një prani e madhe policore, përfundoi pa incidente.
Të premten, Gjermani njoftoi se do të mbështesë planin e Gazës me ndihmë të fortë financiare dhe teknike, por nuk do të angazhojë trupa në forcën e planifikuar ndërkombëtare të sigurisë.
Kancelari Friedrich Merz në një deklaratë nga zyra e tij përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit, si dhe falënderoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe aktorët rajonal, Katarin, Egjiptin dhe Turqinë, për përpjekjet e tyre.
Javën e kaluar, Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për fazën e parë të një plani që ai paraqiti më 29 shtator për të sjellë një armëpushim në Gaza, për të liruar të gjitha pengjet izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe për një tërheqje graduale të forcave izraelite nga e gjithë enklava.
Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi të premten, ndërsa faza e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza, pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.900 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.