Protesta në Romë ndaj heshtjes së BE-së për ndalimin e anijes humanitare që ishte nisur drejt Gazës
Protesta e organizuar nën sloganin "Ne e thyejmë heshtjen: Të gjithë me Flotiljen e Lirisë" tërhoqi qindra njerëz që kritikuan BE-në dhe Parlamentin Evropian për dështimin për të ngritur zërin kundër veprimeve të Izraelit
Romë
Një grup demonstruesish pro-palestinezë janë tubuar jashtë përfaqësisë diplomatike të Bashkimit Evropian (BE) në Romë për të protestuar kundër ndalimit nga Izraeli të anijes humanitare Madleen që ishte nisur për në Gaza dhe "heshtjes" së institucioneve të BE-së për këtë çështje, raporton Anadolu.
Protesta e organizuar nën sloganin "Ne e thyejmë heshtjen: Të gjithë me Flotiljen e Lirisë" tërhoqi qindra njerëz që kritikuan BE-në dhe Parlamentin Evropian për dështimin për të ngritur zërin kundër veprimeve të Izraelit.
Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të të gjithë aktivistëve të ndaluar në bordin e Madleen, si dhe akuzuan BE-në, por edhe qeverinë italiane, se janë bashkëfajtorë në atë që e përshkruan si "gjenocid" të Izraelit në Gaza.
Pjesëmarrësit valëvitnin flamuj palestinezë dhe mbanin pankarta me mbishkrimin "Ushqim për Gazën", "Larg duart nga Flotilja e Lirisë", "Ndalo armatosjen e Izraelit" dhe "Jepini fund gjenocidit".
Anija Madleen, pjesë e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, u ndalua nga forcat detare izraelite herët mëngjesin e të hënës në ujërat ndërkombëtare. Anija mbante furnizime, përfshirë formula për foshnje dhe materiale mjekësore.
Në bord ishin 12 anëtarë, përfshirë aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg, anëtaren franko-palestineze të Parlamentit Evropian, Rima Hassan dhe aktivisten turke, Şuayb Ordu.
Ndalimi i anijes humanitare ka tërhequr kritika të gjera nga qeveritë kombëtare dhe organizata të tilla si Amnesty International.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
