Prokurorët izraelitë akuzojnë vëllain e kreut të Shin Bet për "kontrabandë cigaresh" në Gaza
Bezalel Zini akuzohet për kontrabandë kutish cigaresh në këmbim të 117.000 dollarëve, sipas mediave lokale
Kuds
Prokurorët izraelitë ngritën sot një padi kundër Bezalel Zini, vëllait të shefit të agjencisë së sigurisë Shin Bet, David Zini, me akuzën për "kontrabandë cigaresh" në Rripin e Gazës, ku rreth 2,4 milionë palestinezë përballen me kushte të rënda humanitare, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik KAN, Bezalel Zini akuzohet për kontrabandë kutish cigaresh në Gaza në këmbim të 365.000 shekelëve (117.000 dollarë).
Ai përballet me akuza për "shfrytëzim të pozicionit të tij në rezervat ushtarake për të ndihmuar armikun gjatë kohës së luftës (…) dhe për të marrë ryshfete", thuhet në aktakuzë.
Zini shërben në një grup të njohur si "Uriah", që operon buldozerë të rëndë të përdorur për të prishur shtëpitë palestineze në Gaza si pjesë e luftës gjenocidale të Izraelit në enklavë.
Akuza u ngritën edhe kundër 14 personave të tjerë në këtë rast.
KAN tha se aktakuzat deklarojnë se mallrat e kontrabanduara përfshinin kuti cigaresh, iPhone, bateri, kabllo komunikimi, pjesë këmbimi makinash dhe artikuj të tjerë me vlerë miliona shekelësh.
Shefi i Shin Bet, David Zini, i cili mori detyrën më 5 tetor 2025, nuk ka komentuar mbi akuzat kundër vëllait të tij.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza që filloi në tetor 2023 dhe zgjati dy vjet, duke vrarë rreth 72.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 171.000 të tjerë, ndërsa shkatërroi rreth 90 për qind të infrastrukturës së territorit.
Pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi në tetor 2025, ushtria izraelite ka vazhduar ta shkelë atë, duke vrarë 574 palestinezë dhe duke plagosur 1.518 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
