Bota

Prokurorët gjermanë akuzojnë një shtetas rus për spiunazh

Dyshohet se shtetasi rus i ka dhënë informacione shërbimit inteligjent rus lidhur me raketat evropiane në kohën derisa punonte në një universitet në Gjermani

Ekip  | 27.01.2022 - Përdıtësım : 27.01.2022
Prokurorët gjermanë akuzojnë një shtetas rus për spiunazh

Berlin

Prokurorët gjermanë kanë akuzuar një shtetas rus për spiunazh me dyshimet se i ka transmetuar inteligjencës ruse informacione për raketat evropiane gjatë kohës që punonte në një universitet në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

I dyshuari i identifikuar si Ilnur N., në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, u arrestua më 18 qershor të vitit të kaluar. Deri atëherë, ai punoi si asistent kërkimor për një profesor të shkencës dhe teknologjisë në një universitet në Bavari.

Prokurorët thanë se i dyshuari u kontaktua nga shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse SVR më së voni deri në nëntor 2019 dhe se ai pranoi të punonte për të. Shërbimi i inteligjencës, siç thanë ata, ishte veçanërisht i interesuar për zhvillimin e raketës evropiane Ariane, e cila përdoret për lançimet në hapësirë.

Sipas deklaratës së Prokurorisë, mes të dyshuarit dhe palës tjetër dyshohet se janë mbajtur takime të rregullta, në të cilat shtetasi rus ka përcjellë informacione për produkte për hulumtime të hapësirës ajrore, veçanërisht për faza të ndryshme të zhvillimit të raketës Ariane. Ai dyshohet se ka marrë gjithsej 2.500 euro para të gatshme për informacionin e dhënë.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Shtetërore në Mynih më 9 dhjetor të vitit të kaluar. Gjykata tani do të duhet të vendosë nëse dhe kur do ta dërgojë çështjen në gjyq.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın