Prokurorët italianë hetojnë të dyshuarin për vrasjet me snajper në Sarajevë
Zyra e Prokurorit Publik të Milanos nisi hetimin në nëntor 2025, duke u përqendruar te njerëzit e njohur si "snajperë të fundjavës" që dyshohet se erdhën nga Italia dhe vende të tjera për të marrë pjesë në sulmet gjatë luftës
Romë
Prokurorët italianë kanë thirrur një person për t'u marrë në pyetje në një hetim mbi pretendimet se disa shtetas italianë udhëtuan për në Bosnje dhe Herecegovinë gjatë luftës së viteve 1992-95 për t'u bashkuar me njësitë snajperësh serbe dhe për të qëlluar mbi civilët për "argëtim", transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve në median lokale të mërkurën, hetimi rrjedh nga një padi penale e paraqitur në shkurt 2025 nga gazetari dhe autori italian Ezio Gavazzeni, i cili paraqiti dokumente dhe prova në lidhje me rrethimin.
Zyra e Prokurorit Publik të Milanos nisi hetimin në nëntor 2025, duke u përqendruar te njerëzit e njohur si "snajperë të fundjavës" që dyshohet se erdhën nga Italia dhe vende të tjera për të marrë pjesë në sulmet gjatë luftës.
Agjencia e lajmeve ANSA e Italisë raportoi duke cituar burime gjyqësore, se një ish-shofer kamioni 80-vjeçar që jetonte në qytetin verilindor të Pordenones është thirrur për t'u marrë në pyetje. Prokurorët presin që marrja në pyetje të zhvillohet më 9 shkurt.
Prokurorët pretendojnë se midis viteve 1992 dhe 1995, ai dhe individë të tjerë të paidentifikuar qëlluan me pushkë snajperi nga kodrat përreth Sarajevës, duke vrarë civilë të paarmatosur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, si pjesë e një plani kriminal.
Media italiane ka raportuar gjithashtu akuza se i dyshuari më vonë u mburr për pjesëmarrjen në "gjueti njerëzish" në Sarajevë gjatë rrethimit.
Sarajeva u sulmua më 6 prill 1992 dhe mbeti nën rrethim për më shumë se tre vjet. Gjatë asaj periudhe, u vranë 11.541 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë. Infrastruktura e qytetit dhe shumë vende historike dhe kulturore u dëmtuan rëndë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
