Bota

Pretendohet se avioni i China Eastern Airlines u rrëzua qëllimisht

Avioni me 123 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit u rrëzua në zonën malore në Guangxi më 21 mars

Riyaz Khaliq Khaliq  | 18.05.2022 - Përdıtësım : 18.05.2022
Pretendohet se avioni i China Eastern Airlines u rrëzua qëllimisht

Stamboll

Rrëzimi fatal i një avioni të China Eastern Airlines në mars të këtij viti ishte "i qëllimshëm", sipas raporteve të mediave amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Të dhënat e fluturimit tregojnë se dikush në kabinë ka rrëzuar qëllimisht avionin e China Eastern", raportoi Wall Street Journal me bazë në SHBA të martën mbrëma, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Aeroplani Boeing 737-800 i China Eastern Airlines me 123 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit u rrëzua në një zonë malore në Guangxi më 21 mars.

"Informacionet e mbledhura deri më tani në hetimet e China Eastern kanë bërë që zyrtarët amerikanë të përfshirë në hetim të kthejnë vëmendjen e tyre te veprimet e një piloti, thanë njerëz të njohur me këtë çështje. Ekziston gjithashtu një mundësi që dikush tjetër në aeroplan mund të ketë hyrë në kabinë dhe të ketë shkaktuar qëllimisht rrëzimin", thuhet në raport.

Pekini ende nuk i është përgjigjur pretendimeve.

Megjithatë, gazeta shtetërore kineze "Global Times" citoi Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) të ketë thënë se "nuk ka lëshuar asnjë informacion hetimor në lidhje me shkakun e rrëzimit të China Eastern MU5735".

NTSB tha se ka ndihmuar Administratën e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) me hetimin e rrëzimit dhe "të gjitha informacionet në lidhje me hetimet do të publikohen nga rregullatori kinez i aviacionit".

Aeroplani po nisej nga qyteti juglindor Kunming për në Guangzhou, një qytet port pranë Hong Kongut.

Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi në bord u shpallën të vdekur disa ditë më vonë pas rrëzimit dhe u identifikuan përmes testit të ADN-së.

"Aeroplani bëri atë që i tha të bënte dikush në kabinë", pohoi raporti duke cituar vlerësimin paraprak të zyrtarit amerikan.

Vlerësimi u bë pas një "analize të informacionit të nxjerrë nga regjistruesi i dëmtuar i të dhënave të avionit", shtoi ai.

ABC News pohoi gjithashtu të njëjtën gjë, duke cituar përsëri zyrtarë të paidentifikuar amerikanë: Pretendohet se "Përplasja e avionit të China Eastern Airlines ku humbën jetën 132 njerëz besohet të jetë shkaktuar nga një veprim i qëllimshëm".

"Autoritetet kineze, të cilët drejtojnë hetimin, deri më tani nuk kanë shënuar ndonjë problem mekanik ose të kontrollit të fluturimit me aeroplanin", tha zyrtari amerikan për WSJ.

Pas një kërkimi intensiv, ekipet e shpëtimit gjetën dy kutitë e zeza të avionit, ku njëra prej tyre ishte "dëmtuar rëndë".

Ekipet e kërkimit gjetën rreth 36.000 copë rrënojash në vend.

Autoritetet kineze kishin thënë se moti nuk ishte i rrezikshëm në momentin e aksidentit dhe fluturimi kishte komunikim normal me kontrollin e trafikut ajror deri në rrëzimin e papritur.

Vetë avioni ishte në gjendje normale dhe pilotët gjithashtu ishin në gjendje të mirë shëndetësore, tha më herët një zyrtar i China Eastern Airlines.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.