Presioni rritet mbi kryeministrin belg për të ndërmarrë veprime kundër Izraelit për Gazën
Partia social konservatore Kristano-Demokratike dhe Flamanase (CD&V), partia socialdemokrate Vooruit dhe partia qendrore Les Engages kërkuan nga kryeministri belg të bëjë më shumë kundër Izraelit për çështjen e Gazës

Londër
Presioni politik po rritet mbi kryeministrin belg, Bart De Wever, për ta detyruar të ndërmarrë veprime më konkrete kundër Izraelit përballë situatës shkatërruese në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas mediave vendore, partia social konservatore Kristano-Demokratike dhe Flamanase (CD&V), partia socialdemokrate Vooruit dhe partia qendrore Les Engages kërkuan nga kryeministri belg të bëjë më shumë kundër Izraelit për çështjen e Gazës.
“Është detyrë e kryeministrit të vendosë drejtimin dhe ai nuk po e bën këtë sot”, tha deputetja Els Van Hoof.
Van Hoof, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme e parlamentit federal, tha se beson që Belgjika mund të bëjë shumë më tepër edhe pa Evropën apo vende të tjera.
“Të mos bësh asgjë është një zgjedhje që nuk mund ta mbështesim. E drejta ndërkombëtare na kërkon të veprojmë”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Lëvizja Liberale Reformiste (MR) dhe partia nacionaliste flamanase N-VA e kryeministrit kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve kundër Izraelit, pavarësisht kritikave në rritje.
Javën e kaluar, qeveria belge njoftoi se Brukseli do të votojë pro pezullimit të pjesshëm të pjesëmarrjes së Izraelit në programin kërkimor “Horizon Europe”.
Në një prononcim tjetër, ministri belg i Punëve të Jashtme, Maxime Prevot, së fundmi thirri ambasadorin izraelit për të diskutuar planet e Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës.
Izraeli po përballet me dënime gjithnjë e më të mëdha për luftën gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë të paktën 61.500 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila gjithashtu po përballet me vdekje nga uria.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.