Presidetni Putin nënshkruan dekretin që u lejon qytetarëve kinezë hyrje pa viza në Rusi deri në 30 ditë
Masat, në fuqi deri më 14 shtator 2026, kanë të bëjnë me qytetarët kinezë që vijnë në Rusi për udhëtime biznesi, turizëm, pjesëmarrje në ngjarje shkencore, kulturore dhe sportive
Istanbul
Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi të hënën një dekret që lejon hyrjen pa viza në Rusi për disa kategori qytetarësh kinezë për një periudhë deri në 30 ditë, transmeton Anadolu.
Dekreti, i publikuar në portalin qeveritar, siguron hyrje pa viza në Rusi për qytetarët kinezë që mbërrijnë në vend për arsye të tilla si biznesi dhe turizmi, si dhe pjesëmarrja në ngjarje shkencore, kulturore dhe sportive.
Masa do të mbetet në fuqi deri më 14 shtator 2026, sipas dekretit, dhe se nuk zbatohet për disa kategori qytetarësh kinezë, përfshirë ata që vijnë për punë ose arsim.
Në shtator, Kina njoftoi një regjim pa viza për qytetarët rusë duke filluar nga 15 shtatori 2025 deri më 14 shtator 2026.
Më parë këtë muaj, Putin tha në një takim në Moskë me kryeministrin kinez, Li Qiang, se forcimi i kontakteve dypalëshe midis popujve të tyre do të lehtësohet nga vendimi i Pekinit për të futur një regjim pa viza për qytetarët rusë dhe se vendimet pasqyruese do të hyjnë në fuqi në Rusi "shumë shpejt".
"Jam i bindur se kjo do të ketë ndikime shumë të rëndësishme si në sferën ekonomike ashtu edhe në atë humanitare. Sipas mendimit tim, kjo do të jetë një nxitje pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve tona", tha presidenti Putin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
