Presidentja Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare
Shpërndarja e Kuvendit vjen pas dështimit të mandatarit të dytë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re
Shkup
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pak minuta pasi zhvilloi një takim me liderët e partive parlamentare, transmeton Anadolu.
Shpërndarja e Kuvendit vjen pas dështimit të mandatarit të dytë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës, presidentja tani është e detyruar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditëve. Gjatë konsultimeve me partitë, janë përmendur datat 21 dhe 28 dhjetor si mundësi të preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve.
Me këtë vendim, Kosova hyn zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë funksionimin e tyre në kapacitet të kufizuar deri në krijimin e qeverisë së re.
Ndryshe, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, procesi politik kaloi nëpër sfida të mëdha për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe formimin e qeverisë së re. Pas disa seancash parlamentare, më 26 gusht, në krye të Kuvendit u zgjodh kandidati i Vetëvendosjes, Dimal Basha.
Ndërkohë, Albin Kurti, i mandatuari i parë nga presidentja Vjosa Osman për formimin e qeverisë, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave muajin e kaluar. Mandati më pas iu dorëzua Glauk Konjufcës, po nga Vetëvendosja, por as ai nuk arriti të fitojë mbështetjen e mjaftueshme gjatë seancës së djeshme.
Ky zhvillim shënon një etapë të re në skenën politike të Kosovës, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme pas dështimeve për formimin e institucioneve të reja.
