Presidentja Osmani reagon pasi SHBA-ja ndërpreu dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën
Presidentja kosovare tha se do të angazhohet për të rifilluar këtë dialog sa më shpejt, “sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje dhe ka thënë se është e shqetësuar thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullimin e dialogut strategjik të planifikuar me Kosovën, transmeton Anadolu.
Në një reagim publik, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me SHBA-në, derisa ka deklaruar se ky raport nuk është vetëm diplomatik, “por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”.
“Drejt këtij qëllimi, angazhimi i presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të presidentit Trump drejtuar presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, presidentja shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe SHBA-së”, thuhet në deklaratën e saj.
Osmani ka thënë se çështja e aleancës me SHBA-në është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë.
Ajo nënvizoi se qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se “pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”.
“Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka vazhduar Osmani.
Tutje, ajo ka thënë se siguria e Kosovës është e lidhur me mbështetjen e SHBA-së duke bërë thirrje që secili duhet “ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë”.
Në fund të reagimit të saj, presidentja kosovare shtoi se do të angazhohet për të rifilluar këtë dialog sa më shpejt, “sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”.
SHBA-ja njoftoi të premten pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.