Presidentja meksikane refuzon ofertën e Trumpit për të vendosur trupa amerikane kundër karteleve të drogës
“Mund të bashkëpunojmë, mund të punojmë së bashku, por ju në territorin tuaj dhe ne në tonin. Mund të ndajmë informacione, por nuk do ta pranojmë kurrë praninë e Ushtrisë së SHBA-sé në territorin tonë”, ka thënë Claudia Sheinbaum

Ankara
BOGOTA/ANKARA (AA) - Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum njoftoi se ka refuzuar një propozim nga homologu i saj amerikan Donald Trump për të vendosur trupa amerikane në Meksikë për të ndihmuar në luftimin e karteleve të drogës, transmeton Anadolu.
Gjatë një ngjarjeje publike, Sheinbaum konfirmoi një raportin të “Wall Street Journal” të publikuar më parë, i cili zbuloi se Trump ka kërkuar përfshirje më të madhe të ushtrisë amerikane në luftën kundër drogës në Meksikë, raportoi “Los Angeles Times”.
“Është e vërtetë”, tha Sheinbaum, duke shtuar se në disa telefonata private me Trumpin në muajt e fundit, presidenti amerikan ka thënë: “Si mund t’ju ndihmojmë të luftoni trafikun e drogës? Unë propozoj që Ushtria e Shteteve të Bashkuara të hyjë për t’ju ndihmuar”.
Sheinbaum tha se ajo e ka hedhur poshtë propozimin e tij, duke i thënë: “Jo, president Trump, territori ynë është i patjetërsueshëm, sovraniteti është i patjetërsueshëm... Ne mund të bashkëpunojmë, mund të punojmë së bashku, por ju në territorin tuaj dhe ne në tonin. Ne mund të ndajmë informacione, por nuk do ta pranojmë kurrë praninë e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në territorin tonë”.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal më 2 maj, Trump në një telefonatë me Sheinbaumin më 16 prill ka thënë se trupat amerikane që ai do t’i dërgonte mund të ndihmonin kundër karteleve në Meksikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.