Presidentja e KE-së, Von der Leyen: Serbia të ndërmarrë hapa konkretë për anëtarësim në BE
"Tani është koha që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE. Prandaj, ne duhet të shohim përparim në fushat e sundimit të ligjit, sistemit zgjedhor dhe lirisë së medias", tha Von der Leyen

Bruksel
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Serbia duhet të bëjë përparim konkret në procesin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
"Mund të vazhdoni të na besoni", tha Von der Leyen në konferencë për mediat me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Duke iu referuar projekteve të përbashkëta që janë duke u zhvilluar, Von der Leyen tha: "Korridori Trans-Ballkanik i Energjisë i cili lidh rrjetin elektrik të Serbisë me fqinjët e saj dhe BE-në, dhe ndërlidhësi i gazit natyror Serbi-Bullgari. Ne jemi të gatshëm të investojmë më tej në këto. Ne e kemi ftuar Serbinë të bashkohet në mekanizmin e përbashkët të furnizimit me gaz natyror të BE-së".
"Tani është koha që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE. Prandaj, ne duhet të shohim përparim në fushat e sundimit të ligjit, sistemit zgjedhor dhe lirisë së medias", deklaroi Von der Leyen.
Presidentja e KE-së nënvizoi se këto nisma duhet të përfshijnë të gjitha segmentet e shoqërisë dhe spektrin politik.
- "Anëtarësimi në BE është prioritet i politikës së jashtme të Serbisë"
Presidenti serb Vuçiq deklaroi se vendi i tij nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e pranimit në BE që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke thënë "Anëtarësimi në BE është prioritet i politikës së jashtme të Serbisë dhe kjo nuk do të ndryshojë".
Duke vënë në dukje se Serbia po përjeton vështirësi në sektorin e energjisë, Vuçiq kujtoi sanksionet e SHBA-së të vendosura ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS), një kompani e kontrolluar kryesisht nga kompania ruse e energjisë "Gazprom Neft".
Vuçiq tha se pret që BE-ja të ndërmarrë hapa për të lehtësuar detyrimet doganore për vendet kandidate. "Dimri nuk do të jetë i lehtë për ne. Ne kemi mundur të sigurojmë sasi të mjaftueshme nafte dhe gazi natyror, por do të jetë gjithashtu një dimër i vështirë edhe në aspektin politik", tha presidenti serb.
Pasi vuri në dukje se ai dhe Von der Leyen diskutuan për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe çështjen e Kosovës, Vuçiq tha: "Nuk do ta kritikoj qeverinë e Prishtinës tani. E tëra çfarë mund të them është se tango është një kërcim për dy persona".
- Procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE
Serbia zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009. Ajo mori statusin e vendit kandidat në vitin 2012 dhe u pranua zyrtarisht për të filluar negociatat e pranimit në vitin 2014.
Megjithatë, negociatat janë ende në vazhdim dhe pritet përparim, veçanërisht në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe marrëdhëniet Serbi-Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.