Bota

Presidenti venezuelas Maduro urdhëron Forcat Ajrore të jenë të përgatitura për sulm të mundshëm nga SHBA-ja

Maduro ka deklaruar se u ka dhënë Forcave Ajrore urdhërin “të jenë vigjilentë dhe të gatshme për detyrë” përballë mundësisë së një sulmi të mundshëm ndaj Venezuelës

Sinan Doğan  | 28.11.2025 - Përdıtësım : 28.11.2025
Presidenti venezuelas Maduro urdhëron Forcat Ajrore të jenë të përgatitura për sulm të mundshëm nga SHBA-ja

Bogota

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ka dhënë urdhër Forcave Ajrore që të “jenë gati” për një sulm të mundshëm nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.

Sipas mediave kombëtare, Maduro ka marrë pjesë në ceremoninë e 105-vjetorit të Aviacionit Ushtarak Bolivarian të mbajtur në kryeqytetin Karakas, ku ka reaguar ndaj kërcënimeve në rritje të SHBA-së ndaj vendit të tij.

Maduro ka deklaruar se u ka dhënë Forcave Ajrore urdhrin “të jenë vigjilentë dhe të gatshme për detyrë” përballë mundësisë së një sulmi të mundshëm ndaj Venezuelës.

Duke theksuar se për rreth 17 javë janë përballur me kërcënime të ndryshme, Maduro ka thënë se “Fuqitë e huaja imperialiste (SHBA) po kërcënojnë vazhdimisht paqen e Detit të Karaibeve, Amerikës së Jugut dhe Venezuelës me arsye të rreme dhe të ekzagjeruara, të cilave nuk u beson opinioni publik amerikan, ai botëror dhe as opinioni i fuqishëm publik venezuelas”.

Ai ka thënë se vendi vazhdon rrugën e tij pa bërë kompromis me nderin dhe pavarësinë.

“Sot në Venezuelë nuk ka asnjë kërcënim apo agresion që frikëson popullin tonë. Ky popull, nën udhëheqjen e Bolivarit, është përgatitur me qetësi për të mbrojtur atdheun, tokat, detet, qiellin dhe historinë e tij”.

– Vendimi i SHBA-së për “Cartel de los Soles”

SHBA-ja e ka futur në listën e Organizatave të Huaja Terroriste (FTO) grupin kriminal “Cartel de los Soles”, për të cilin ka pretenduar se drejtohet nga Maduro dhe zyrtarë të lartë venezuelas.

Venezuela e ka cilësuar këtë hap të SHBA-së për kartelin, ekzistencën e të cilit nuk e pranon, si përpjekje për të krijuar justifikim për ndërhyrje në vend.

Më herët është raportuar se aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, “USS Gerald R. Ford”, së bashku me grupin e saj sulmues, ka mbërritur në rajonin e Amerikës Latine nën arsyetimin e “luftës kundër trafikimit të drogës”.

Presidenti Maduro, në kundërpërgjigje, kishte mobilizuar 4,5 milionë forca të milicisë në vend dhe kishte deklaruar se janë gati të zmbrapsin çdo sulm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın