Presidenti sirian shpall armëpushim dhe marrëveshje të plotë integrimi midis qeverisë dhe SDF-së
Marrëveshja kërkon tërheqjen e SDF-së në lindje të Eufratit dhe transferimin e administratës, fushave të naftës dhe kalimeve kufitare nën kontrollin e shtetit.
Stamboll
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa njoftoi të dielën një armëpushim gjithëpërfshirës dhe një marrëveshje për integrim të plotë mes qeverisë siriane dhe SDF-së, duke parashikuar masa të gjera për rikthimin e autoritetit shtetëror në verilindje të vendit, transmeton Anadolu.
Sipas kushteve të publikuara nga Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA), marrëveshja parasheh një armëpushim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha frontet dhe vijat e kontaktit mes forcave qeveritare dhe SDF-së.
Marrëveshja hyn në fuqi paralelisht me tërheqjen e të gjitha formacioneve ushtarake të lidhura me SDF-në drejt zonave në lindje të lumit Eufrat, si një hap përgatitor për ridislokim.
Sipas marrëveshjes, provincat Deir ez-Zor dhe Raka do t’i dorëzohen plotësisht dhe menjëherë qeverisë siriane, si në aspektin administrativ ashtu edhe ushtarak. Kjo përfshin transferimin e të gjitha institucioneve dhe objekteve civile në këto dy provinca.
Marrëveshja përcakton se punonjësit aktualë në Deir ez-Zor dhe Raka do të mbahen zyrtarisht në kuadër të ministrive përkatëse të shtetit sirian dhe se qeveria nuk do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj personelit të SDF-së apo anëtarëve të administratës civile në këto dy provinca.
Gjithashtu, ajo parashikon integrimin e të gjitha institucioneve civile në provincën Haseke në institucionet shtetërore dhe strukturat administrative të Sirisë.
Si pjesë e marrëveshjes, qeveria siriane do të marrë kontrollin e të gjitha pikave kufitare dhe të fushave të naftës dhe gazit në rajon. Këto zona do të sigurohen nga forcat siriane për të garantuar që të ardhurat t’i kthehen shtetit, tha SANA.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
