Presidenti palestinez urdhëron publikimin e draftit të parë të kushtetutës së përkohshme
Dekreti synon të zgjerojë pjesëmarrjen e publikut në hartimin e kushtetutës së përkohshme duke i ftuar qytetarët të paraqesin propozime brenda 60 ditëve nga publikimi i dekretit, thuhet në raport
Stamboll
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, lëshoi një dekret presidencial që urdhëron publikimin e draftit të parë të kushtetutës së përkohshme të shtetit të Palestinës, transmeton Anadolu.
Drafti do të publikohet për shqyrtim publik nëpërmjet platformës elektronike të caktuar nga Komiteti Kombëtar për Hartimin e Kushtetutës, së bashku me metodat e tjera të publikimit të përcaktuara nga komiteti, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Palestinës Wafa.
Dekreti synon të zgjerojë pjesëmarrjen e publikut në hartimin e kushtetutës së përkohshme duke ftuar qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, fraksionet politike, ekspertët dhe akademikët të paraqesin komente dhe propozime mbi draftin brenda 60 ditëve nga publikimi i dekretit, shtoi Wafa.
Dekreti i cakton Komitetit të Koordinimit dhe Hartimit, nën Komitetin e Përgatitjes së Kushtetutës së Përkohshme, përgjegjësinë për mbledhjen, organizimin dhe shqyrtimin e komenteve publike.
Komiteti do t'i paraqesë presidentit një raport mbi komentet dhe rekomandimet e shqyrtuara për miratim para se të finalizohet drafti i kushtetutës.
Dekreti përcakton se autoritetet përkatëse janë përgjegjëse për zbatimin e tij dhe se ai hyn në fuqi pas lëshimit dhe do të publikohet në gazetën zyrtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
