Presidenti palestinez dhe kryediplomati gjerman diskutojnë krizën në Gaza dhe dhunën në Bregun Perëndimor
Abbas e përshkroi Gazën si duke u përballur me “një politikë të qëllimshme të urisë,” duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm

Ramallah/Stamboll
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, është takuar me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, për të shqyrtuar përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe rritjen e sulmeve nga kolonët izraelitë të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu
Duke folur në kompleksin presidencial në Ramallah, Abbas e përshkroi Gazën si duke u përballur me “një politikë të qëllimshme të urisë”, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Ai kërkoi dorëzimin e shpejtë të ndihmave humanitare për të parandaluar urinë, lirimin e të ndaluarve nga të dyja palët dhe kalimin e përgjegjësisë së plotë për Gazën tek Autoriteti Palestinez, me mbështetje arabe dhe ndërkombëtare, pas një tërheqjeje të plotë izraelite.
Lideri palestinez gjithashtu kërkoi ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite të paligjshme dhe përpjekjeve për aneksim në Bregun Perëndimor, si dhe lirimin e të ardhurave tatimore palestineze të ngrira nga Tel Avivi.
Ai përsëriti përkushtimin e tij për një zgjidhje me dy shtete në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Nismën Arabe për Paqe, duke theksuar rezultatet e konferencës së fundit për paqe në New York.
Abbas tha se është i gatshëm të zhvillojë zgjedhje kombëtare, por do të përjashtojë grupet dhe individët “që nuk pranojnë angazhimet e PLO-së, legjitimitetin ndërkombëtar, parimin e një shteti, një ligji dhe një arme legjitime”.
“Duam një Shtet Palestinez të çarmatosur, përfshirë Rripin e Gazës,” tha ai.
Wadephul, nga ana e tij, theksoi se Autoriteti Palestinez duhet të qeverisë Gazën pasi të përfundojë lufta, duke e cilësuar atë si “përfaqësuesin e vetëm legjitim të palestinezëve”.
Ai premtoi mbështetje gjermane për përpjekjet e rindërtimit dhe i bëri thirrje Izraelit të lirojë të ardhurat e mbajtura palestineze, duke paralajmëruar se “bllokimi i këtyre fondeve rrezikon stabilitetin”.
Më herët gjatë ditës, ministri i jashtëm gjerman vizitoi qytetin Taybeh në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku pa nga afër dëmet nga sulmet e përsëritura të kolonëve izraelitë.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza në tetor të vitit 2023, të paktën 1.011 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7 mijë të tjerë janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze, duke kërkuar evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.