Presidenti palestinez Abbas kërkon nga Italia të njohë Shtetin e Palestinës
Abas tha se një shtet palestinez plotësisht sovran "nuk do të ishte një barrë sigurie për askënd, por përkundrazi do të shërbente si një burim stabiliteti rajonal dhe një partner i përgjegjshëm në ruajtjen e sigurisë dhe ndërtimin e paqes"
Ramallah/Stamboll
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i ka bërë thirrje Italisë të njohë Shtetin e Palestinës, duke theksuar se ky veprim do të ndihmojë në mbrojtjen e zgjidhjes me dy shtete dhe do të konsolidojë themelet e paqes, transmeton Anadolu.
Këto komente Abbas i bëri në një fjalim që ai mbajti në konferencën vjetore të Partisë Vëllezërit e Italisë në Romë, ku theksoi se krijimi i një shteti të pavarur palestinez, në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet, është e vetmja mënyrë për të garantuar siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.
Abbas tha se një shtet palestinez plotësisht sovran "nuk do të ishte një barrë sigurie për askënd, por përkundrazi do të shërbente si një burim stabiliteti rajonal dhe një partner i përgjegjshëm në ruajtjen e sigurisë dhe ndërtimin e paqes".
Ai shtoi se populli palestinez "aspiron të jetojë në atdheun e tij me liri dhe dinjitet, në një shtet modern që mbështet demokracinë, transferimin paqësor të pushtetit, pluralizmin, barazinë dhe refuzimin e dhunës".
“Vendet që e njohin Palestinën e bëjnë këtë si një investim pozitiv në të ardhmen e paqes dhe stabilitetit”, tha Abbas.
Ai shprehu shpresën se Italia do të vazhdojë të ecë përpara në këtë rrugë në mbështetje të zgjidhjes me dy shtete.
Në sfondin e një lufte brutale izraelite që vrau më shumë se 70 mijë njerëz në Gaza, disa vende njohën shtetësinë palestineze gjatë takimeve të OKB-së në shtator, duke e çuar totalin në 160 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
