Presidenti libanez: Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ushtrojë presion ndaj Izraelit
Presidenti libanez, Aoun theksoi rëndësinë e ushtrimit të presionit ndërkombëtar mbi Izraelin që të zbatojë armëpushimin dhe të tërhiqet nga territoret e pushtuara
Bejrut
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të ushtrojë presion për të mbështetur ushtrinë libaneze dhe për të ndaluar sulmet izraelite, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Presidenca libaneze, Aoun priti një delegacion përfaqësuesish nga shtetet anëtare të KS-OKB-së, të cilët kishin udhëtuar për në Liban pas vizitës së tyre në Siri, në pallatin presidencial Baabda në Bejrutin lindor.
Gjatë takimit, anëtarët e delegacionit theksuan gatishmërinë e vendeve të tyre për të mbështetur ushtrinë libaneze dhe për të kontribuar në procesin e përfundimit të vendosjes së saj në të gjithë vendin, duke shprehur mbështetjen e tyre për stabilitetin e Libanit.
Delegacioni i KSKB-së shprehu mbështetjen e tij për lëvizjen e Libanit për të përfshirë një përfaqësues civil në komitetin që mbikëqyr armëpushimin dhe zbatimin e një monopoli të kontrolluar nga shteti mbi armët.
Aoun falënderoi delegacionin për deklaratën e tyre të mbështetjes dhe theksoi se Libani po zbaton rezolutat ndërkombëtare. Ai bëri thirrje për mbështetje në mënyrë që ushtria të mund ta përmbushë plotësisht misionin e saj ndërsa shtoi se bashkëpunimi dhe koordinimi me Forcën e Përkohshme Paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL) po vazhdon.
Presidenti libanez theksoi rëndësinë e ushtrimit të presionit ndërkombëtar mbi Izraelin që të zbatojë armëpushimin dhe të tërhiqet nga territoret e pushtuara. Dje një delegacion i KS-OKB-së vizitoi Damaskun, kryeqytetin e Sirisë, pas një ndërprerjeje 14-vjeçare.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar më 27 nëntor 2024, Izraeli vazhdon sulmet e tij në Libanin jugor. Më 3 dhjetor, Izraeli dhe Libani ranë dakord të dërgojnë përfaqësues civilë në bisedimet për armëpushim.
