Presidenti kolumbian i kërkon SHBA-së “me respekt” të mos ndërhyrjë në punët e brendshme
Kërkesa e Gustavo Petros erdhi pasi SHBA-ja akuzoi Bogotën në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për "minimin e progresit në arritjen e paqes së qëndrueshme".

Stamboll
Presidenti kolumbian Gustavo Petro i kërkoi “me respekt” SHBA-së të premten të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendit të tij, pasi i dërguari amerikan Mike Waltz akuzoi Bogotën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “minimin e progresit në arritjen e paqes së qëndrueshme”, transmeton Anadolu.
“Këshilli i Sigurimit nuk mbikëqyr politikën tonë të paqes. Është sovrane”, shkroi Petro në rrjetin social amerikan X.
Këshilli i Sigurimit, me deklaratën e njëanshme të Kolumbisë, është i mandatuar vetëm për të mbikëqyrur procesin e paqes me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), “të cilin ne po e përmbushim”, tha ai.
Misioni i Verifikimit i OKB-së në Kolumbi është një mision i posaçëm politik i themeluar në vitin 2016 nga Këshilli i Sigurimit për të verifikuar zbatimin e Marrëveshjes Përfundimtare të Paqes dhe për të ndihmuar Kolumbinë në angazhimin e saj për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ndërtuar paqen.
Vendi i Amerikës së Jugut ka parë një rritje të ndjeshme të dhunës politike dhe kriminale në muajt e fundit nga duart e disidentëve nga grupi rebel marksisto-leninist Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) dhe grupi i majtë gueril Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN).
“Politikat e Presidentit Petro mbi sigurinë dhe paqen – si në Kolumbi ashtu edhe në mbarë botën – janë sinqerisht të papërgjegjshme”, i tha Waltz Këshillit të premten.
“Qëndrimi i gabuar i Shteteve të Bashkuara mbi trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe tani procesin e paqes me FARC-un – që kërkon të ndryshojë qëndrimin tonë mbi gjenocidin në Gaza – nuk pranohet nga qeveria jonë”, tha Petro.
Ai tha se ata që kryejnë gjenocid në Rripin e Gazës “duhet të gjykohen ashtu siç u gjykuan gjenocidistët nazistë në Nuremberg”.