Presidenti i Turkmenistanit propozon ndërtimin e Universitetit të Paqes dhe Neutralitetit
"Universiteti do të përqendrohet në aktivitete kërkimore dhe arsimore, duke u mbështetur në përvojën e gjerë të OKB-së në ruajtjen e paqes", tha Berdimuhammedov
Istanbul
Presidenti i Turkmenistanit, Serdar Berdimuhammedov propozoi sot ndërtimin e një Universiteti Paqeje dhe Neutraliteti në bashkëpunim me OKB-në, raportoi gazeta online e Turkmenistanit, "Golden Age", transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Besim në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat, ai nënvizoi se Turkmenistani po zhvillon marrëdhënie ndërkombëtare konstruktive, reciprokisht të dobishme dhe miqësore për shkak të politikës së tij neutrale.
"Universiteti do të përqendrohet në aktivitete kërkimore dhe arsimore, duke u mbështetur në përvojën e gjerë të OKB-së në ruajtjen e paqes", tha Berdimuhammedov.
Ai theksoi se Turkmenistani synon të zgjerojë angazhimin e tij me OKB-në.
"Do të doja të theksoja se OKB-ja e sheh vendin tonë si partner të përgjegjshëm dhe efektiv në adresimin e çështjeve kritike globale dhe rajonale, zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimin e qasjeve të drejta dhe të balancuara ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në një gamë të gjerë fushash", shtoi ai.
Gjatë takimit, Kazakistani dhe Uzbekistani mbështetën iniciativën e presidentit turkmen.
