Bota

Presidenti i Iranit udhëzon diplomacinë iraniane për negociata të barabarta me SHBA-në

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se direktiva u lëshua "nën dritën e kërkesave nga qeveritë mike në rajon" që i kanë kërkuar Iranit t'i përgjigjet një propozimi të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për negociata

Syed Zafar Mahdi  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Presidenti i Iranit udhëzon diplomacinë iraniane për negociata të barabarta me SHBA-në

Teheran

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se ka udhëzuar ministrin jashtëm të vendit të ndjekë "negociata të drejta dhe të barabarta" të bazuara në parimet e "dinjitetit, maturisë dhe përshtatshmërisë", transmeton Anadolu.

Në një postim në mediat sociale të martën, Pezeshkian tha se direktiva u lëshua "nën dritën e kërkesave nga qeveritë mike në rajon" që i kanë kërkuar Iranit t'i përgjigjet një propozimi të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për negociata.

Megjithatë, ai theksoi se çdo bisedë do të kërkojë një "mjedis të përshtatshëm" pa kërcënime dhe "pritje të paarsyeshme", duke theksuar se negociatat duhet të zhvillohen "brenda kuadrit të interesave tona kombëtare".

Të hënën, segmente të medias iraniane raportuan se Pezeshkian kishte urdhëruar rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u bllokuan pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor 2025.

Raportimet bënë të ditur se bisedimet mund të rifillojnë së shpejti, potencialisht në nivelin e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarit të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Më vonë, të njëjtat media thanë se raportet për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve ishin të pakonfirmuara. Disa raporte kanë treguar që Araghchi mund të takohet me Witkoff në Stamboll të premten.

Zhvillimet vijnë në mes të aktivitetit të shtuar diplomatik, me disa vende rajonale, përfshirë Turqinë, që thuhet se po punojnë për të zbutur tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit.

Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi presidenti Trump tha se një flotë ushtarake amerikane po shkon drejt rajonit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.