Presidenti i Finlandës dyshon se Rusia do të bie dakord për një marrëveshje paqeje
Presidenti finlandez Alexander Stubb i thotë TVP World se Moska, jo Kievi, është pengesa kryesore pasi lufta ka të ngjarë të vazhdojë deri në verë
Gjenevë
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb tha se nuk pret që Rusia të miratojë një marrëveshje paqeje në një afat të shkurtër, edhe pse kontaktet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja midis Moskës dhe Kievit vazhdojnë, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për TVP World, Stubb tha se "argumenti i tij bazë" është se lufta në Ukrainë do të vazhdojë gjatë gjithë verës, pavarësisht asaj që ai e përshkroi si një angazhim më të strukturuar diplomatik të SHBA-së në muajt e fundit.
Kur u pyet se kush po bllokon një zgjidhje, Stubb tregoi drejtpërdrejt Moskën. "(Presidenti Vladimir) Putin dhe Rusia", tha ai, duke shtuar se nuk e konsideron Ukrainën apo qeveritë perëndimore si pengesën kryesore.
Bisedimet mbeten të bllokuara për disa çështje komplekse, veçanërisht mosmarrëveshjet territoriale dhe të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, tha ai.
Stubb hodhi poshtë propozimet për të shndërruar zonat e pushtuara nga Rusia të Ukrainës lindore në një zonë ekonomike të çmilitarizuar, duke e përshkruar një plan të tillë si "të çmendur". Një opsion më i zbatueshëm, sugjeroi ai, do të ishte një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit i kombinuar me një zonë tampon të çmilitarizuar në të dyja anët.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se diplomacia u "rigjallërua" pas bisedimeve të fundit në Gjenevë, megjithëse mosmarrëveshjet kryesore mbeten të pazgjidhura.
Zyrtarët evropianë të inteligjencës kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke përdorur negociatat për të kërkuar lehtësim të sanksioneve dhe lëshime ekonomike në vend që të ndjekë një marrëveshje të vërtetë paqeje, sipas TVP World.
Stubb gjithashtu foli për tensionet rreth Grenlandës, duke e karakterizuar mosmarrëveshjen si një provë të marrëdhënies së Evropës me presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Presidenti finlandez i kërkoi Evropës të mbetet "e qetë dhe e përmbajtur".
