Bota

Presidenti i Argjentinës, Fernandez kërkon falje për deklaratën e paqëllimshme racore

Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez shkaktoi reagime të ashpra pas deklaratës së ti se "Brazilianët kanë ardhur nga xhungla"

Ekip   | 10.06.2021
Presidenti i Argjentinës, Fernandez kërkon falje për deklaratën e paqëllimshme racore

Londër

Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez shkaktoi një stuhi reagimesh të mërkurën në Twitter pasi bëri komente të paqëllimshme raciste të cilat nxitën një debat racor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Fernandez i bëri komentet gjatë vizitës së kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez ndërsa përpiqej të fliste për lidhjet e Argjentinës me Evropën.

"Octavio Paz së pari shkroi se meksikanët erdhën nga indianët, brazilianët erdhën nga xhungla, kurse ne argjentinasit erdhëm nga anijet. Dhe ato ishin anije që erdhën nga Evropa", tha Fernandez duke iu referuar grupeve të migrantëve evropianë që u vendosën në Argjentinë.

Sipas gazetës argjentinase "Perfil", Fernandez me sa duket ka cituar frazën ku përmenden brazilianët në një këngë të mikut të tij muzikantit argjentinas Litto Nebbia por këtë ia kishte atribuar poetit meksikan Octavio Paz.

Në Argjentinë, komentet e Fernandezit ngacmuan Alejandro Ariel Vilca, një aktivist vendas i Partisë Socialiste të Punëtorëve dhe pjesë e komunitetit Coya.

"Ashtu si miliona të tjerë, unë nuk kam ardhur nga Evropa. Ndjehem krenar që jam Coya. Fjalët tuaja janë ofendim për popujt vendas", tha Vilca në Twitter, duke denoncuar komentet e Fernandezit.

Lajmi gjithashtu shkaktoi valë të mëdha reagimesh në të gjitha mediat sociale si dhe në mediat e lajmeve nga Argjentina, Brazili dhe Meksika të cilat dënuan komentet.

Gazeta e përditshme braziliane "Folha" e përshkroi deklaratën si "raciste".

Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro e shfrytëzoi rastin për të ndarë një fotografi të tij në Twitter me anëtarët e një komuniteti autokton ndërsa djali i tij i tretë, Eduardo Bolsonaro bëri një goditje verbale ndaj Fernandezit.

"A nuk do të thonë ata se ai ishte racist kundër popujve autoktonë dhe afrikanë që formuan Brazilin?", tha Eduardo Bolsonaro në Twitter, ndërsa përshkroi gjithashtu Argjentinën si një "anije që po fundoset".

Gazetarja meksikane me bazë në Argjentinë, Cecilia Gonzalez vuri në dyshim deklaratat e presidentit, duke i përshkruar ato në Twitter si "të çuditshme" që "Alberto Fernandez përsërit para Pedro Sanchezit stereotipin se argjentinasit vijnë nga anijet dhe se ata vijnë nga Evropa. Unë besoja se kjo ide e rreme tashmë ishte tejkaluar, veçanërisht në këtë qeveri".

Por, Gonzalez vuri në dukje se takimi midis dy udhëheqësve ishte pozitiv në drejtim të vendosjes së mbështetjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për Argjentinën dhe nxitjes së solidaritetit për të luftuar pandeminë globale të koronavirusit, duke shtuar se "fraza e fatkeqësisë fut në hije pjesën tjetër".

Fernandez menjëherë kërkoi falje për komentet e tij, duke deklaruar se ai është krenar për larminë e Argjentinës.

"Nuk kam dashur të ofendoj askënd. Megjithatë, kushdo që është ndjerë i ofenduar ose i prekur, unë kërkoj falje", shkroi Fernandez në Twitter.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.