Presidenti francez: Paqja dhe ribalancimi ekonomik në agjendë gjatë udhëtimit në Kinë
"Jam i gatshëm të punoj me Kinën dhe të gjithë partnerët tanë mbi këto sfida të mëdha", tha Macron teksa filloi një vizitë shtetërore 3-ditore në Kinë me ftesë të presidentit Xi
Stamboll
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë të ditur se do të diskutojë për "paqen dhe ribalancimin ekonomik" me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë takimit të tyre në Pekin, transmeton Anadolu.
"Jam i gatshëm të punoj me Kinën dhe të gjithë partnerët tanë mbi këto sfida të mëdha", tha Macron teksa filloi një vizitë shtetërore 3-ditore në Kinë me ftesë të presidentit Xi.
Ai tha se Franca është edhe më e vendosur për të punuar me Kinën dhe vendet partnere në dritën e marrjes së presidencës së G7-tës nga vendi i tij në janar. "Bashkarisht mund t'i ndryshojmë gjërat", tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
I shoqëruar nga udhëheqës biznesi dhe zyrtarë qeveritarë, kjo është vizita e katërt shtetërore e presidentit Macron në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte u pritën nga ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi, pas mbërritjes në Pekin.
Ai do të zhvillojë bisedime me presidentin Xi, kryeministrin Li Qiang dhe ligjvënësin më të lartë të Kinës, Zhao Leji, përpara se të udhëtojë në qytetin jugperëndimor Chengdu. Xi do të presë Macronin për bisedime kokë më kokë në Chengdu, me lidhjet dypalëshe, tregtinë dhe tarifat amerikane si dhe luftërat në Ukrainë dhe Gaza që me sa duket do të jenë në agjendë.
Të dy udhëheqësit do të diskutojnë lidhjet e Kinës me Bashkimin Evropian (BE), derisa tregtia midis dy vendeve u rrit në rreth 785.8 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Pasi Macron mbërriti në Pekin, sipas "South China Morning Post", BE-ja dje nisi një plan prej 3 miliardë eurosh që synon përmirësimin e arsenalit ekonomik të bllokut dhe redukimin e "varësisë së saj të madhe nga Kina për mineralet kritike, përfshirë metalet e rralla".
"Evropa mbetet kampione e tregtisë së hapur dhe investimeve globale, por sinqeriteti pa siguri bëhet e cenueshme", tha komisari evropian për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maros Sefcovic.
"Për të mbetemi të qëndrueshëm në një peizazh gjeopolitik dhe gjeoekonomik që po ndryshon, ne duhet t'i përdorim mjetet tona në mënyrë më strategjike dhe të vendosur, teksa zhvillojmë mjete të reja për të përforcuar sigurinë tonë ekonomike", shtoi ai.
