Presidenti francez: BE-ja do të zbatojë "heqjen graduale të sanksioneve" ndaj Sirisë
Macron tha se do të iniciojnë më tej një “proces bindjeje” me SHBA-në në mënyrë që të angazhohen në të njëjtën rrugë

Istanbul
Bashkimi Evropian do të zbatojë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Sirisë, tha sot presidenti Francez Emmanuel Macron gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian Ahmed al-Sharaa, i cili udhëtoi për në Paris në vizitën e tij të parë në një vend evropian që nga marrja e detyrës, raporton Anadolu.
“I thashë presidentit se nëse ai vazhdon në rrugën e tij, ne do të vazhdojmë në tonën: së pari, duke hequr gradualisht sanksionet ekonomike evropiane”, tha Macron.
Ai tha se do të iniciojnë më tej një “proces bindjeje” me SHBA-në në mënyrë që të angazhohen në të njëjtën rrugë dhe gjithashtu të punojnë me UNHCR-në dhe partnerët e tyre për të krijuar një kornizë rajonale që i mundëson Sirisë “kthimin e talenteve dhe forcave të saj jetësore”.
“Për ta bërë këtë, do të jetë e nevojshme të ofrohen garanci për përdorimin e duhur të fondeve ndërkombëtare. Franca do të sigurojë që prioritetet që i konsideron thelbësore të merren parasysh në këtë kornizë, sepse, siç e kam thënë, stabiliteti dhe uniteti i Sirisë janë gjithashtu thelbësore për stabilitetin e Lindjes së Mesme”, tha Macron.
Ai riafirmoi se do të ngrejë zërin e tij që sanksionet e vendosura gjatë ish-regjimit të Bashar Al-Asadit “të mosrinovohen” dhe se do të punojë në mënyrë aktive me disa shtete anëtare që ende kanë “hezitime”.
“Unë besoj se është përgjegjësia jonë t’i heqim këto sanksione në mënyrë progresive, të mbështesim këtë lëvizje dhe t’i japim, në muajt në vijim, mundësinë për të ecur përpara”, shtoi ai.
Macron i quajti gjithashtu sulmet e fundit të Izraelit ndaj Sirisë “praktikë të keqe”, duke theksuar se lëvizje të tilla nuk do të garantojnë sigurinë e tij në planin afatgjatë.
“Nuk besoj se dikush garanton sigurinë e vendit të tij duke shkelur integritetin territorial të fqinjëve të tij”, tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.