Presidenti finlandez: Negociatat për Ukrainën mund të kenë ngecur
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb paralajmëroi sot se negociatat e udhëhequra nga SHBA-të midis Rusisë dhe Ukrainës mund të kenë ngecur
Stamboll
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb paralajmëroi sot se negociatat e udhëhequra nga SHBA-të midis Rusisë dhe Ukrainës mund të kenë ngecur, transmeton Anadolu.
Duke folur për mediat evropiane përpara një samiti të Forcës së Përbashkët Ekspedituese (JEF) në Helsinki, Stubb tha se nuk ka patur indikacione për takime të mëtejshme pas tre raundeve negociatash të mbajtura gjatë dimrit, sipas të përditshmes norvegjeze VG.
"Mund të jetë për shkak të luftës në Iran, e cila po e largon vëmendjen nga Ukraina. Por, mund të jetë që negociatat kanë arritur në fund të rrugës dhe nuk mund të ecin përpara", tha Stubb.
Stubb, i cili mban kontakte të ngushta me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin amerikan Donald Trump, sugjeroi se bisedimet janë gjithnjë e më të kufizuara nga mosmarrëveshjet për territorin, veçanërisht në rajonin e Donetskut.
"Unë besoj se negociatorët amerikanë kanë bërë gjithçka që mundën. Problemi kryesor është se unë nuk besoj se Rusia dëshiron paqe", tha presidenti finlandez.
Komentet e tij vijnë ndërsa udhëheqësit evropianë mblidhen në Helsinki për samitin e JEF, një kuadër sigurie i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar që përfshin vendet nordike dhe baltike si dhe Holandën. Grupi përqendrohet në bashkëpunimin e shpejtë ushtarak jashtë mekanizmave të mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Zelenskyy pritet të marrë pjesë në samit nga distanca ndërsa kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store do të marrë pjesë personalisht. Garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë një temë qendrore e diskutimit.
Stubb tha se në mungesë të negociatave të rinovuara, rritja e presionit mbi Moskën do të bëhet një përparësi. Megjithatë, ai paralajmëroi se zhvillimet më të gjera gjeopolitike mund ta ndërlikojnë këtë përpjekje.
"Me luftën në Iran dhe vendimin e amerikanëve për të lehtësuar sanksionet mbi shitjet e naftës ruse, gjërat nuk po lëvizin në drejtimin që do të donim", tha ai. Stubb nënvizoi rolin në rritje të Evropës në mbështetjen e Ukrainës, duke vënë në dukje se vendet evropiane tani ofrojnë pjesën më të madhe të ndihmës ekonomike dhe ushtarake.
"Evropa është në një vend më të mirë tani sesa një vit më parë. Ne i ofrojmë pothuajse të gjithë mbështetjen Ukrainës dhe i kemi mundësuar asaj të zgjerojë prodhimin e vet të mbrojtjes", shtoi ai.
Pavarësisht kësaj, ai pranoi pasigurinë mbi fazën tjetër të konfliktit dhe diplomacisë.
"Ne kemi një pikënisje dhe një kuptim më të mirë të taktikave ruse. Por, se si do të vazhdojë kjo, nuk e di", tha presidenti finlandez.
