Presidenti Erdoğan mbërrin në Washington për takimin me Trumpin
Në aeroportin e bazës së përbashkët "Andrews", presidenti Erdoğan dhe delegacioni i tij shoqërues u pritën nga ambasadori turk në Washington, Sedat Önal dhe zyrtarë të tjerë

Washington
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po merr pjesë në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbërriti në Washington nga New Yorku për një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Anadolu.
Avioni me të cilin udhëtoi presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, u ul në aeroportin e bazës së përbashkët "Andrews", që ndodhet në një distancë të shkurtër nga kryeqyteti.
Në aeroportin e bazës së përbashkët "Andrews", presidenti Erdoğan dhe delegacioni i tij shoqërues u pritën nga ambasadori turk në Washington, Sedat Önal dhe zyrtarë të tjerë.
Në Washington krahas presidentit Erdoğan dhe bashkëshortes së tij Emine Erdoğan mbërritën edhe ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës İbrahim Kalın, drejtori i Komunikimeve Presidenciale Burhanettin Duran, presidenti i Industrive të Mbrojtjes Haluk Görgün, shefi i Kabinetit të Presidencës Hasan Doğan dhe kryekëshilltari i Presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çağatay Kılıç.
Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan do të mbërrijë në Washington pas takimeve të tij në New York.
Presidenti Erdoğan dhe Emine Erdoğan udhëtuan nga aeroporti për në Blair House, pjesë e Shtëpisë së Bardhë, ku do të kalojnë natën. Ata u pritën ngrohtësisht nga qytetarët e pranishëm.
Ndërkohë, Shërbimi Sekret Amerikan u pa duke marrë masa të gjera sigurie rreth Blair House, ku do të qëndrojë presidenti Erdoğan.