Presidenti Erdogan mbërrin në Azerbajxhan për të marrë pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores
Në kuadër të vizitës, presidenti turk pritet të zhvillojë takime me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, ku do të diskutojë zhvillimet dypalëshe, rajonale dhe globale
Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Azerbajxhan për të marrë pjesë në një ceremoni në Baku që shënon 5-vjetorin e Ditës së Fitores së Azerbajxhanit, raporton Anadolu.
Gjatë vizitës së tij, Erdogan shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, shefi i inteligjencës, Ibrahim Kalin, drejtori i Komunikimit, Burhanettin Duran, sekretari i Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Gorgun dhe këshilltari kryesor presidencial për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Akif Cagatay Kilic.
Në kuadër të vizitës, presidenti turk pritet të zhvillojë takime me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, ku do të diskutojë zhvillimet dypalëshe, rajonale dhe globale.
Pjesa më e madhe e rajonit të Karabakut, që ka qenë nën pushtimin armen për gati tre dekada, në vjeshtën e vitit 2020 u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore, e cila përfundoi pas një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga Rusia. Marrëveshja gjithashtu hapi derën për normalizimin e marrëdhënieve me Jerevanin.
Më 8 nëntor, ushtria azerbajxhanase çliroi qytetin Shusha dhe më vonë u shpall Dita e Fitores me një dekret presidencial.
Fillimisht, Dita e Fitores do të festohej më 10 nëntor, ditën e përfundimit të Luftës së Dytë të Karabakut, por kjo u ndryshua më vonë për shkak se përkoi me përvjetorin e vdekjes së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
