Presidenti Erdoğan do të marrë pjesë në Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh për armëpushimin në Gaza
Duran njoftoi se është planifikuar që presidenti Erdoğan të mbajë një fjalim në samit dhe të zhvillojë konsultime me udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse
Stamboll
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të vizitojë Egjiptin nesër për të marrë pjesë në Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh, i ftuar nga presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu
Shefi i komunikimit i Turqisë, Burhanettin Duran, njoftoi në platformën sociale të kompanisë amerikane X se është planifikuar që presidenti Erdoğan të mbajë një fjalim në samit dhe të zhvillojë konsultime me udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse.
Më shumë se 20 udhëheqës botëror pritet të marrin pjesë në samit, i cili do të bashkë-kryesohet nga al-Sisi dhe Trump.
Përveç presidentit Erdoğan, do të marrin pjesë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, Mbreti i Jordanisë, Abdullah, Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa Al Khalifa, kryeministri britanik, Keir Starmer, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti iranian, Ebrahim Raisi.
Egjipti tha se samiti synon “t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës, të rrisë përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme dhe të sjellë një fazë të re të sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.
Të mërkurën, Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të planit të tij prej 20 pikash që synonte zbatimin e një armëpushimi në Gaza. Plani përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.
Faza e parë hyri në fuqi të premten, ndërsa faza e dytë parashikon krijimin e një organi të ri qeverisës në Gaza duke përjashtuar Hamasin, vendosjen e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.600 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
