Presidentët e Kazakistanit dhe Serbisë diskutojnë bashkëpunimin në tregti, mbrojtje dhe inteligjencë artificiale
Presidenti Tokayev pret homologun serb Vuçiq në Astana, e quan Serbinë "partner strategjik shumë të rëndësishëm në Evropë"
Stamboll
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, priti të premten homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kryeqytetin Astana për të diskutuar mbi marrëdhëniet tregtare dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe inteligjencën artificiale, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, shërbimi për shtyp i presidencës kazake, tha se Tokayev e përshkroi Serbinë si një "partner strategjik shumë të rëndësishëm në Evropë" dhe theksoi përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin në ekonomi, si dhe në sferat humanitare dhe kulturore.
"Një fluturim direkt midis Astanës dhe Beogradit është nisur dhe marrëdhëniet tona tregtare po zhvillohen me shumë sukses. Më shumë se 60 kompani serbe po operojnë me sukses në Kazakistan. Ne ndajmë qasje të përbashkëta ndaj çështjeve kyçe ndërkombëtare", tha Tokayev.
Në përgjigje, Vuçiq falënderoi homologun Tokayev për mikpritjen dhe tha se marrëdhëniet midis dy vendeve janë strategjike.
"Jam i bindur se miqësia jonë do të arrijë një nivel të ri përmes bashkëpunimit të forcuar në inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe energjinë. Pres me padurim t'ju mirëpres në Serbi në të ardhmen e afërt", shtoi Vuçiq.
Ai gjithashtu theksoi potencialin e rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave, sipas deklaratës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
