Bota

Porta e dikurshme e Azisë Jugore dhe Qendrore: Lidhjet turke të rajonit Ladakh

Rajoni Ladakh, i cili dikur dallohej si pikë takimi e lidhjeve midis nënkontinentit Indian, Turkestanit, Tibetit dhe Kinës, tashmë është shndërruar në një zonë të mundshme konfrontimi midis ushtrive të Kinës dhe Indisë

Bekir Aydoğan, Syed Iftikhar  | 23.06.2020 - Përdıtësım : 24.06.2020
Porta e dikurshme e Azisë Jugore dhe Qendrore: Lidhjet turke të rajonit Ladakh

Ankara

İFTİKHAR GİLANİ, BEKİR AYDOĞAN

Rajoni Ladakh, i cili dikur dallohej si pikë takimi e lidhjeve midis nënkontinentit Indian, Turkestanit, Tibetit dhe Kinës, tashmë është shndërruar në një zonë të mundshme konfrontimi midis ushtrive të Kinës dhe Indisë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kufijve, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rajoni Ladakh, i quajtur gjithashtu si "shkretëtira e ftohtë" dhe pa asnjë qasje në det midis maleve të larta, i përkiste pjesës verilindore rajonit të diskutueshëm të Xhammu Kashmirit deri vitin e kaluar.

India ndau rajonin më 5 gusht të vitit të kaluar dhe formoi një rajon të veçantë Ladakh të administruar nga qendra, që përfshin rajonet Leh dhe Kargil, me një sipërfaqe prej 97.872 kilometrash katrorë.

Meqenëse Aksai Chin, që përbën një pjesë të madhe të rajonit, është nën kontrollin e Kinës, zona ekzistuese e dy rajoneve korrespondon me 58.321 kilometra katrorë.

Sipas regjistrimit të popullsisë në Indi në vitin 2011, në rajon jetojnë 274.289 banorë, prej të cilëve 46,40 për qind muslimanë dhe 36,65 për qind budistë. Përveç kësaj, ka 25 fshatra me shumicë muslimane në rajonin Leh, në të cilin popullsia budiste numëron 66,39 për qind.

Sipas historianit dhe shkrimtarit Abdul Gani Sheikh, deri para një shekulli, turqishtja ishte gjuha e dytë në rajonin Ladakh, për shkak të lidhjeve të tregtisë dhe civilizimit.

Rajoni Ladakh ishte në qendër të të ashtuquajturës konkurrencë Loja e Madhe midis Britanisë, Kinës dhe Rusisë, e cila u zhvillua në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

Duke ofruar qasje tokësore në qytetet Yarkent dhe Hotan nga Azia e Jugut, rajoni Ladakh lehtësonte lëvizjen e lirë të mallrave, tregtarëve, eksploruesve, agjentëve dhe ushtarëve me rrugët e tij të ndryshme në vendkalimet malore.

Njerëzit e moshuar në tempullin budist Namgyal Tsemo Gompa dhe xhaminë historike në qendër të rajonit Leh, kujtojnë qytetet e Turkestanit Yarkent dhe Kashgar dhe Lhasan, kryeqytetin e Rajonit Autonom Tibet të Kinës, për shkak të lidhjeve turke në të kaluarën.

Korridoret që lidhnin rajonin me botën e jashtme dhe që quheshin si Korridoret Karakurum, u mbyllën në periudha të ndryshme në shekullin XX. Me ndarjen e nënkontinentit indian në vitin 1947 dhe shfaqjen e mosmarrëveshjeve në Xhammu Kashmir, shumë rrugë dhe lidhje në rajon u mbyllën gjithashtu.

Sipas Rinchen Dolma, studiues në Qendrën e Studimeve të Azisë Qendrore të Universitetit të Kashmirit në Srinagar, rihapja e Korridorit Karakurum do të ishte shumë e dobishme për rajonin Ladakh dhe do ta bënte dhe një herë rajonin Leh një qendër tregtare.

Dolma gjithashtu deklaroi se në të kaluarën, një lidhje e rëndësishme e Rrugës së vjetër të Mëndafshit kalonte nëpër malet e larta të rajonit me kushte ekstreme atmosferike.

Ngjarjet e vitit 1947 shkaktuan izolimin e rajonit

Ngjarjet e vitit 1947 ndanë nënkontinentin midis Indisë dhe Pakistanit. Rajoni malor, nga Ladakh deri në Gilgit, Baltistan, Hunza dhe Chitral të kontrolluara nga Pakistani dhe Aksai Chin i kontrolluar nga Kina, humbi rëndësinë e tij të mëparshme dhe u shkëput nga bota e jashtme.

Sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të Departamentit të Turizmit në Xhammu Kashmir, Salim Bey, Leh, një qendër e rëndësishme tregtare për Azinë Qendrore, është bërë një element mjedisor i largët nga qendra.

"Dorëshkrimi persian Hadud-e-Alam i shekullit IX flet për lidhjet tregtare të rajonit Ladakh me vendet fqinje. Ladakh në atë kohë mund të matet me afërsinë gjeografike me qytetet e Azisë Qendrore që kishin pranuar Islamin, dhe nga fakti se njerëzit kalonin në Leh nga shekulli IX për të shkuar për ta bërë Haxhin në Mekë", tha Salim Bey.

Salim Bey, i cili është gjithashtu historian dhe anëtar i Fondacionit të Trashëgimisë Artistike dhe Kulturore, deklaroi se turqishtja qëndronte si një gjuhë e zakonshme e komunikimit dhe ishte e popullarizuar në fshatin Nubra në rrugën Leh-Yarkent.

Shumë fjalë turke kanë hyrë në gjuhën Ladakhi dhe janë akoma pjesë e kësaj gjuhe. Disa tregtarë muslimanë turq u vendosën në Leh dhe u martuan me gra në Ladakh. Këto familje turke muslimane, të quajtura edhe si Argon, u zgjeruan, u degëzuan dhe u integruan plotësisht në komunitetin Ladakhi. Përveç muslimanëve turq ose Argon, grupe të tjera etnike që dallohen në rajon janë grupet Moon, Mongoloid dhe Dard.

Muslimanët dhe budistët në rajon jetuan në paqe deri në fillim të viteve 1990. Madje, muslimanët ndanë emra hibridë si Mohamed Tshering dhe perceptoheshin si emra budistë, dhe dy komunitetet i pranuan si heronj poetët epikë si Gyalam Kesar dhe Norbu. Edhe në fshatrat midis rajonit me shumcë budiste Leh dhe atij me shumicë muslimane Kargil, tradita e martesave ndër-komunale ishte një tipar i zakonshëm.

Kur Budistët u rebeluan kundër Srinagarit dhe kërkuan statusin e Territorit të Unionit (Indian), marrëdhëniet u bënë të dhimbshme pas një serie agjitacionesh. Kërkesa u refuzua nga popullata shumicë muslimane. Udhëheqësit budistë organizuan një bojkot shoqëror disavjeçar kundër muslimanëve.

India miratoi kriterin e autonomisë së Leh-it kundër Srinagarit, i cili formoi Këshillin për Zhvillimin e Zonës Malore Autonome Ladakh në vitin 1994. Në vitin 2003, myftiu Mufti Muhamed Seyid, kryeministër i atëhershëm i Xhammu Kashmirit, e shtriu këtë rajon autonom deri në Kargilin me shumicë muslimane. Në ekipin e këshillit prej 30 anëtarësh, 26 persona u zgjodhën drejtpërdrejt nga zonat zgjedhore, ndërsa katër anëtarë u nominuan nga grupet e pakicave dhe gratë.

Në vitin 2012, konflikte u raportuan në mes muslimanëve dhe budistëve në rajonin Zanskar me shumicë budiste në Kargil. Shkaku për konfliktin ishte kalimi i 22 budistëve nga katër familje në fenë islame. Më vonë, Shoqata e Budistëve në Zanskar organizoi një bojkot shoqëror që vazhdoi deri në vitin 2015 kundër muslimanëve në rajon.

Traditat specifike të rajonit

Edhe pse shumë prej traditave lokale janë zhdukur me shpejtësi, shumë të tjera vazhdojnë të ekzistojnë.

Historianë të shumtë i përshkruajnë Dardët si brezi i vetëm në Azinë e Jugut që janë pasardhës të Arianëve.

Meqenëse shumë gjermanë e konsideronin veten më të mirë se racat e tjera, dy gra gjermane erdhën këtu në 1979 për t'u martuar me Arianë të pastër dhe për të sjellë në jetë fëmijë Arianë. Megjithatë, para se të gjenin kandidatët që kërkonin, ato u arrestuan nga policia për shkak të afërsisë së zonës me kufirin kinez dhe ndalimin e hyrjes.

Edhe pse ishte e ndaluar në vitin 1950, vërehet se një grua ende martohet me më shumë se një burrë në disa vende të largëta në rajonin ku popullsia e femrave është më e ulët se ajo e meshkujve. Dolma Tresing, e cila është e përfshirë në hulumtime të shoqërisë civile, deklaroi se kjo praktikë është kryer për të parandaluar ndarjen e pronësisë së tokës.

"Në shumicën e rasteve, dy ose më shumë vëllezër martohen me një grua. Arsyeja kryesore për këtë është gjithashtu norma e ulët e lindjeve. Norma në martesat me shumë burra është se një grua ka më shumë fëmijë", shperhet Tresing.

Ndërkaq, kryetari i bashkësisë në një fshat në Nobra, Tsering Namgyal, thotë se disa praktika i përkasin kulturës budiste.

"Ne ua mësojmë djemve tanë të vegjël edukimin fetar në manastir. Murgjit luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë. Manastiret nuk nënkuptojnë vetëm fuqinë fetare, por ato gjithashtu strehojnë të varfërit. Shumë fshatra kanë një manastir të tillë (gompa)", theksoi Namgyal.

Dëmin më të madh e pësoi Kargili

Ish-kryetari i Këshillit të Zhvillimit të Zonës Malore Kargil, Asghar Ali Karblai, tha se dëmin më të madh nga përleshjet mes Indisë dhe Pakistanit në vitet 1947, 1965 dhe 1971 e ka pësuar zona Kargil e rajonit Ladakh dhe se ky vend ka qenë qendra e konfliktit në vitin 1999.

“Për dallim nga rajonet Kashmir dhe Xhamu, shumë fshatra të rajonit tonë në këto luftëra vazhduan të ndryshojnë dominuesit. Shtatë fshatra në rajonin Turtuk, ishin pjesë e Pakistanit deri në vitin 1971. Tani janë nën kontrollin indian. Banorët e fshatrave ende kanë familje në anën tjetër”, u shpreh ai.

Abdul Hamid Sheikh, hulumtues nga Qendra e Studimeve të Azisë Qendrore, theksoi se dokumentet e të ardhurave të rajonit ende mbahen në Mahafiz Khana, qendra e mbajtjes së regjistrave e qytetit Skardu në anën pakistaneze. Sheikh tregoi se njerëzit në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje ose gjykimi në lidhje me tokat, janë duke i angazhuar të afërmit e tyre në rajon për të pasur qasje në kopjet e dokumenteve në Skardu.

Gjithashtu edhe dy lidhjet e rajonit në Zoojila kalojnë nga Srinagar, ku gjashtë muaj është ndërprerë kontakti me pjesën tjetër të botës. Edhe rruga Leh-Manali që nga shtatori e deri në maj qëndroi e mbyllur. Meqenëse në rajon kultivohet vetëm 620 kilometra katrorë zonë, është e nevojshme të ruhen produktet për gjashtë muaj.

Korridori Khardung La në Luginën Nubra është në një distancë prej tre orësh me makinë nga Kashgar, Hotan dhe Yarkent, tri qendrat e Rrugës së Mëndafshit. Namgya këtë e përmbledhë me fjalët: “E jona është një histori e mundësive të humbura”.

Haxhi Abdul Razaq, një ndër historianët e shquar të Luginës Nubra, pasi doli në pension si mësues, tregon se para viteve të 50-ta bashkë me babain e tij, kanë udhëtuar me lehtësi në Gilgit-Baltistan, që tani gjendet në Pakistan dhe në Yarkent që gjendet në rajonin Sinkiang të Kinës.

Razaq, i cili posedon gurë dhe xhevahire të rrallë që tregtoheshin përmes Rrugës së Mëndafshit, thotë se “Leh dhe Nubra, ishin ndër pushimoret e rëndësishme për tregtarët që vinin nga Azia Qendrore. Babai im ishte ndër përgjegjësit e një dyqani në Rrugën e Mëndafshit. Ky itinerar ku tregtoheshin xhevahir, rubin, qilima dhe gurë, Ladakh-un e shndërroi në vendtakim të kulturave”.

Ai më tej shpjegon se pas luftës me Kinën në vitet 1960-ta, të gjithë rrugët janë mbyllur sërish për të gjithë. Razaq tha se luftërat me Pakistanin dhe Kinën kanë ndarë shumë familje, kanë shkëputur lidhjet me Azinë Qendrore dhe kështu Ladakh është mbyllur për botën e jashtme.

Artikujt e vlefshëm të Luginës Nubra dhe devet me dy gunga janë kujtimet e fundit të gjalla të Rrugës së Mëndafshit. Këto deve u sollën për herë të parë në Nubra nga tregtarët turq nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit më 1870.

Tregtarët e Rrugës së Mëndafshit, të cilët transportonin ngarkesa me mëndafsh, qilima, argjend, korale, kadife, opium dhe ilaçe të tjera, udhëtonin në Karakorumin Lindor nëpërmjet Ladakh. Këto mallra më vonë transferoheshin në Kashmir dhe Punjab. Nga ana tjetër, erëzat, shallet, mjalti, ngjyra, këpucët dhe gurët e çmuar transportoheshin në qytetet e Tibetit dhe Azisë Qendrore.

Përveç shkëmbimit të mallrave, një kulturë e përzier u zhvillua në rajon. Por, me mbylljen e rrugëve ndërkombëtare pas vitit 1947, pasuria e rajonit u dëmtua. "Kjo gjithashtu bëri që statusi dhe zonat kulturore të zhdukeshin gradualisht. Kishte një ndjenjë dobësie dhe tjetërsimi në zonë", tha Salim Bey.

Muzeu që tregon lidhjet turke të rajonit

Disa vjet më parë, me ndihmën e njerëzve vendas, Bey zonën afër Xhamisë Tsa Soma të shekullit të XVII në Leh e ktheu në një muze për të treguar lidhjet turke të rajonit. Sipas Salim Bey, restaurimi i xhamisë zgjati tre vjet dhe ndërtesa e muzeut u përfundua më 2014.

Kjo ndërtesë trekatëshe me galeritë dhe projeksionet është një kryevepër dhe përfaqësim unik i arkitekturës tradicionale tibetase dhe të Azisë Qendrore të ndërtuar me gurë vendas, dru dhe baltë.

"Familjet turke Argon i dhuruan muzeut antikë, objekte dhe dorëshkrime. Në katin e parë të muzeut, ka një ekspozitë fotografike të gjeologjisë dhe antikitetit të Ladakh. Koleksioni më i madh dhe më i rëndësishëm erdhi nga Jamia Masjid. Qilima të çmuara të Yarkentit, dorëshkrime shumë të vlefshme dhe sende të tjera të ruajtura ose të përdorura në Jamia Masjid u transferuan në muze, duke përfshirë një skeptër të shenjtë nga Hemis Gumpha Lama”, theksoi Salim Bey.

Historiani Sheikh deklaroi se Stagtsang Raspa, Lama kryesor i Manastirit Hemis, skeptrin prej druri ia dha imamit të xhamisë kur xhamia u ndërtua në shekullin e XVII. Skeptri mbahej si suvenir në xhami. Qilimat, nga ana tjetër, ishin bërë të veçantë për xhaminë nga tregtarë të pasur turq.

Lugina Galvant dhe Daulat Bey

Lugina e Galvanit, e cila kohët e fundit ka dalë në pah për shkak të përplasjeve të vazhdueshme midis Indisë dhe Kinës, u zbulua nga Argoni musliman turk Gulam Resul Galvan, i cili shoqëroi britanikët dhe mori pjesë në ekspedita të tjera në gjithë Karakurumin, Pamirs dhe Tibet.

Në vitin 1892, Galvan shkoi në Pamirs bashk me Kontin e Dunmore. Karvani për shkak të kushteve të këqija të motit gjatë kthimit u devijua nga rruga tradicionale në Aksai Chin. Kjo ishte një sfidë e vështirë për udhëheqësin e ekspeditës Galvan.

Sheikh gjithashtu theksoi se instinktet e tij dhe informacioni jashtëzakonisht i vështirë i terrenit e çuan atë në një rrugë të re që kalonte përmes një kalimi malor, duke shpëtuar kështu karvanin nga një kërcënim jetësor shumë kritik.

Meqenëse Konti ishte i kënaqur me Galvan, ai e quajti luginën si Lugina e Galvanit dhe mali u emërua si Galvan Naalah.

Në mënyrë të ngjashme, rrafshnalta e Dault Bey Oldi, baza e përparuar ushtarake e Indisë, u emërua sipas Sulltan Said Khan nga Yarkent, fisniku turk, i njohur si Daulat Bey.

Sipas ish-deputetit të Ladakh, Khasan Khan, karvani i Beut u kap në një stuhi dëbore ndërsa kthehej nga fushata ushtarake në Ladakh dhe Kashmir.

Katër shekuj më vonë, gjenerali britanik Walter Lawrence gjeti kocka njerëzore dhe shtazore të shpërndara në rrafshnalta, ku temperatura bie në minus 55 gradë në dimër, kur arriti këtu për të bërë numërim dhe përgatitur hartat.

Vendasit i thanë gjeneralit britanik se këto kocka i përkisnin Daulat Bey nga fisi turk Oldi. Gjenerali i dha zonës emrin e fisnikut turk.

Loja e Madhe

Sipas Dolma, interesi britanik për Ladakh filloi me Lojën e Madhe, e cila ishte rezultat i një konkurrence të dhunshme anglo-ruse gjatë shekullit XIX. Kjo bëri që britanikët ta kthenin Ladakh në një zonë tampon të përdorur për të vëzhguar Rusinë ekspansioniste.

Në librin e tij Historia, Kultura dhe Qytetërimi i Ladakh-ut, Sheikh shprehet se më 1872, Maharaja Ranbir Singh, sundimtari Dogra i Kashmirit, bashkë me sundimtarët e Gvalior dhe Nepal, duke i shkruar një letër carit rus Aleksandrit të Dytë, i thonë se do t’i ndihmojnë në rast se e sulmojnë Indinë.

Përmbajtja e letrës së dërguar përmes guvernatorit rus të Ferganës, gjeneral Sakojay Leif, përfundimisht ra në duart e spiunëve britanikë. Britanikët dërguan Henry Cayley në zonë dhe ndaluan administratorët rajonalë të krijonin ndonjë kontakt diplomatik ose të jashtëm.

Në librin e tij, Sheikh shkruan se cari si përgjigje ndaj kësaj kishte planifikuar të sulmonte shtetin osman dhe të pushtonte Stambollin.

"Pasi ta pushtojmë Stambollin, ne do të pushojmë për dy vjet dhe do të përgatitemi për të filluar një luftë kundër Indisë", citoi Sheikh nga përgjigja e Rusisë ndaj sundimtarit të Kashmirit.

Rusia më 24 prill 1877 filloi një luftë kundër shtetit osman.

Sipas fjalëve të Dolma, është në interes të Indisë, Kinës dhe Pakistanit të kuptojnë rëndësinë strategjike të Ladakh për të siguruar paqen, prosperitetin, sigurinë ndërkulturore dhe njerëzore, jo për të luftuar, por për të ringjallur lidhjet dhe Rrugën e mrekullueshme të Sikh.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.