Porsche shet më pak makina në vitin 2024 për shkak të kërkesës së dobët në Kinë
Shitjet e markës Porsche në Kinë vitin e kaluar shënuan një ulje prej 28 për qind krahasuar me vitin 2023, respektivisht 56.887 makina

Istanbul
Porsche, marka e makinave sportive e prodhuesit gjerman të automobilave Volkswagen Group, vitin e kaluar regjistroi një rënie prej 3 për qind në dërgesat globale të automjeteve për shkak të kërkesës së ulët në Kinë, transmeton Anadolu.
Kompania gjermane njoftoi se dërgesat totale të makinave në vitin 2024 u ulën në 310.718 nga 320.221 në vitin e mëparshëm.
Shitjet e markës Porsche në Kinë vitin e kaluar shënuan një ulje prej 28 për qind krahasuar me vitin 2023, respektivisht 56.887 makina.
“Rënia në Kinë është kryesisht për shkak të situatës së vështirë ekonomike të vazhdueshme në këtë rajon”, tha kompania.
Megjithatë, shitjet e kompanisë në Evropë u rritën me 8 për qind, veçanërisht në Gjermani me 11 për qind në vitin 2024.
Dërgesat në tregjet ndërkombëtare dhe në ato në zhvillim u rritën me 6 për qind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.
Në tetor të vitit 2024, Porsche njoftoi se do të reduktojë rrjetin e saj të tregtarëve në Kinë për shkak të kërkesës së dobët të vazhdueshme.
Derisa dërgesat e prodhuesit gjerman në Kinë përbëjnë rreth 20 për qind të dërgesave të saj globale, kompania është prekur nga tensionet tarifore midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Kinës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.