Polonia regjistron rënien më të madhe të popullsisë në BE
Gjatë vitit 2024, popullsia e Polonisë ra nga në 36.620.970 duke shkuar në 36.497.495, respektivisht një rënie prej 123.475 banorësh. Kjo është hera e gjashtë radhazi që Polonia regjistron një rënie të popullsisë

Varshavë
Popullsia e Polonisë është reduktuar me 123 mijë banorë në vitin 2024, duke shënuar rënien më të madhe ndër të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për të dytin vit me radhë, transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave nga Eurostat, nga 1 janari i vitit 2024 deri më 1 janar të vitit 2025, popullsia e Polonisë ra nga në 36.620.970 duke shkuar në 36.497.495, respektivisht një rënie prej 123.475 banorësh. Kjo është hera e gjashtë radhazi që Polonia regjistron një rënie të popullsisë.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së shënuan rritje të popullsisë në vitin 2024, me popullsinë totale të bllokut që u rrit me 1.07 milion banorë ose 0,24 për qind. Hungaria me një rënie prej 45.125 banorësh dhe Italia me një rënie prej 37.053 banorësh renditen në vendin e dytë dhe të tretë për rënien më të madhe, ndërsa rritjet më të mëdha u regjistruan në Spanjë me 458.289 banorë, Francë me 292.567 banorë dhe Gjermani me 121.095 banorë.
“Sipas Eurostat, që nga viti 2012, ndryshimi natyror negativ (më shumë vdekje se lindje) në popullsinë e BE-së është kompensuar nga migrimi neto pozitiv”, tha Eurostat.
Polonia ka pritur një numër të madh refugjatësh nga Ukraina, por kjo nuk ka mjaftuar për të kompensuar trendin negativ demografik të ndikuar nga rënia e lindshmërisë dhe numri i lartë i vdekjeve të tepërta gjatë pandemisë.
Agjencia shtetërore e statistikave në Poloni (GUS) parashikon se popullsia e vendit mund të bjerë në 26.7 milionë deri në vitin 2060, një rënie prej 27 për qind krahasuar me ditën e sotme.
Shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Poloninë, që më parë ishin nën regjime komuniste, janë transformuar me shpejtësi nga tregje në zhvillim në tregje të zhvilluara që nga anëtarësimi në bllokun evropian 21 vjet më parë. Kjo ka sjellë investime, por edhe sfida të ngjashme me ato të ekonomive perëndimore, respektivisht plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore, rritjen e shpejtë të pagave dhe nevojën për emigracion, veçanërisht në industri, mjekësi, transport dhe teknologji informative.
Të dhënat nga Shërbimi Evropian i Punësimit (EURES) tregojnë se pothuajse të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë përjetuar rënie të popullsisë mes viteve 2010 dhe 2021.
Sipas institutit të sigurimeve shoqërore të Polonisë (ZUS), raporti i varësisë është rritur, respektivisht numri i personave jashtë moshës së punës në raport me ata në moshë pune.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.