Polonia liron nga detyra ambasadorin në Francë mes një hetimi për diplomë të rreme
Ambasadori Rosciszewski u ndalua nga Byroja qendrore kundër korrupsionit në kuadër të një hetimi për marrjen e diplomave të rreme MBA nga një universitet privat i njohur si "Collegium Humanum"
Stamboll
Polonia ka liruar përkohësisht nga detyra ambasadorin e saj në Francë, Jan Emeryk Rosciszewski, mes një hetimi të vazhdueshëm për diplomë të rreme, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maciej Wewior, për agjencinë shtetërore të lajmeve PAP tha se ministri i Jashtëm, Radoslaw Sikorski vendosi ta lirojë ambasadorin nga detyra e tij derisa të zgjidhen të gjitha dyshimet.
"Ministria e Punëve të Jashtme nuk komenton mbi veprimet e shërbimeve ose të sistemit të drejtësisë. Ambasadori filloi misionin e tij në pranverën e vitit 2022. Në dritën e situatës, ai e ka vënë veten në dispozicion të ministrit", tha Wewior.
Të martën, siç raportoi PAP, ambasadori Rosciszewski u ndalua nga Byroja qendrore kundër korrupsionit në kuadër të një hetimi për marrjen e diplomave të rreme MBA nga një universitet privat i njohur si "Collegium Humanum".
Institucioni akuzohet për operimin e programeve të përshpejtuara të diplomave MBA, bachelor dhe master, të cilat u kanë mundësuar pjesëmarrësve të kualifikohen për role në borde mbikëqyrëse dhe pozicione të larta në ndërmarrje shtetërore pa përmbushur kërkesat standarde akademike.
"Në rastin e Rosciszewski-t, mashtrimi i dyshuar përfshinte përdorimin e një diplome MBA për të shërbyer në bordin mbikëqyrës të Bank Pocztowy, një degë e Poczta Polska", theksoi PAP.
Në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve, Rosciszewski tha se nuk ka studiuar kurrë në "Collegium Humanum" dhe nuk është i diplomuar në universitet, duke shtuar se u lirua pasi dha "shpjegime të gjera".
"Unë deklaroj bashkëpunim të plotë me zyrën e prokurorit dhe shpresoj që çështja të zgjidhet sa më parë", tha ai.
