Bota

Polonia akuzon Rusinë për "terrorizëm shtetëror" pas sabotimit hekurudhor

"Operacionet e sabotimit, të drejtuara dhe të organizuara drejtpërdrejt nga shërbimet e Kremlinit për muaj të tërë, kohët e fundit kanë kaluar pragun kritik", tha kryeministri polak Tusk

Eren Beksaç  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Polonia akuzon Rusinë për "terrorizëm shtetëror" pas sabotimit hekurudhor

Prishtinë

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk deklaroi se pas sabotimit shpërthyes të linjës hekurudhore Varshavë-Lublin është kapërcyer pragu kritik, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë së lajmeve PAP të Polonisë, Tusk tha se Rusia po zhvillon fazën tjetër të luftës hibride që synon destabilizimin e vendit të tij. "Operacionet e sabotimit, të drejtuara dhe të organizuara drejtpërdrejt nga shërbimet e Kremlinit për muaj të tërë, kohët e fundit kanë kaluar pragun kritik. Tashmë mund të flasim për terrorizëm shtetëror", tha ai.

Tusk thekson se këto veprime synojnë të shkaktojnë shkatërrim, humbje jetësh dhe të destabilizojnë shtetin polak. Ai vuri në dukje se Rusia dëshiron konflikt brenda Evropës, Ukrainës dhe Polonisë, duke shtuar se asnjë aspekt i këtij skenari nuk duhet të lejohet të zbatohet.

Më tej Tusk tha se Rusia dëshiron ta dobësojë Poloninë me çdo kusht.


- Ngjarja

Sipas lajmeve në mediat polake, makinisti i trenit që udhëtonte midis Varshavës dhe Lublinit vuri re dëmin në linjën hekurudhore rreth orës 7:00 të mëngjesit sipas orës lokale më 16 nëntor dhe e raportoi atë në stacionin qendror. Pasagjerët dhe ekuipazhi i trenit u evakuuan dhe trafiku në linjë u ndal.

Kryeministri polak Tusk njoftoi se dëmi pranë fshatit Mika, në linjën hekurudhore Varshavë-Lublin, e cila është jetike për dërgimin e ndihmës në Ukrainë, u shkaktua nga një sulm sabotimi me eksploziv. Ai tha se është zbuluar një dëm edhe në një pikë më afër Lublinit në të njëjtën linjë.

Më vonë Tusk njoftoi se ata kishin identifikuar dy persona përgjegjës për sabotimin dhe se këta persona ishin ukrainas që bashkëpunonin me inteligjencën ruse.

Pas zhvillimeve, u hoq leja e dhënë për funksionimin e konsullatës ruse në Gdansk, konsullata e fundit ruse në Poloni ndërsa u bë e ditur se 10 mijë ushtarë do të mobilizohen për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe për t'iu përgjigjur përpjekjeve të sabotimit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.