Bota

Politikani irlandez në flotiljen drejt Gazës: Çdo përpjekje e Izraelit për të na ndaluar është e paligjshme

"Flotilja jonë është plotësisht e ligjshme dhe çdo përpjekje nga Izraeli për të na ndaluar është e paligjshme", tha Murphy për Anadolu në një intervistë nga Tunizia.

Rabia Ali  | 05.09.2025 - Përdıtësım : 05.09.2025
Politikani irlandez në flotiljen drejt Gazës: Çdo përpjekje e Izraelit për të na ndaluar është e paligjshme

Stamboll

Përpara nisjes së planifikuar nga Tunizia të dielën, politikani irlandez Paul Murphy tha se Flotilja Globale "Sumud" do të lundrojë për në Gaza në kundërshtim të hapur me bllokadën e Izraelit, duke e shpallur udhëtimin të ligjshëm dhe duke u zotuar të vazhdojë pavarësisht rrezikut të ndalimit.

"Flotilja jonë është plotësisht e ligjshme dhe çdo përpjekje nga Izraeli për të na ndaluar është e paligjshme", tha Murphy për Anadolu në një intervistë nga Tunizia. "Ata nuk kanë të drejtë të na pengojnë të lundrojmë në ujërat ndërkombëtare. Ata nuk kanë të drejtë të mbajnë këtë bllokadë", tha ai.

Murphy, anëtar i zgjedhur i Dhomës së ulët të Irlandës për partinë "Populli para Profitit", është pjesë e asaj që organizatorët e përshkruajnë si flotilja më e madhe deri më tani, që synon të sjellë qindra pjesëmarrës nga 44 vende në rreth 50 anije në Gaza.

Anijet nga Tunizia do të bashkohen me të tjera që janë nisur nga Barcelona dhe Italia. Misioni fillimisht ishte planifikuar të nisej nga Tunizia më 4 shtator, por moti i keq në Mesdhe vonoi nisjet.

Duke transportuar ushqime dhe furnizime mjekësore bazë, flotilja pritet të arrijë në Gaza për afro 10 ditë, tha Murphy. Ligjvënësi tha se ndien përgjegjësi për të vepruar në emër të palestinezëve për shkak të platformës së tij publike dhe njohurive të situatës.

"Mendoj se kushdo që e di duhet të përpiqet të bëjë çfarë të mundet për të ndihmuar, për të ushtruar presion mbi shtetin izraelit që të ndalojë gjenocidin, t'i japë fund rrethimit, t'i japë fund bllokadës dhe të ushtrojë presion mbi qeveritë e veta që të veprojnë për të ndaluar gjenocidin në vend që të jenë bashkëfajtorë në të", tha ai.

Murphy tha se situata në Gaza përkon me historinë irlandeze, duke përmendur përvojat e imperializmit, kolonializmit dhe urisë së shkaktuar nga njeriu nën sundimin britanik.


- Mision jo i dhunshëm

Përderisa presin në Tunis mbërritjen e anijeve nga Spanja dhe Italia, pjesëmarrësit iu nënshtruan trajnimit për skenarë të ndryshëm, përfshirë mënyrën e reagimit nëse forcat izraelite hipin në anije.

"Misioni ynë nuk është mision ushtarak, është jo i dhunshëm. Ne nuk do t'i rezistojmë asnjë përpjekjeje izraelite për të marrë në kontroll anijet tona", tha ai.

Murphy vuri në dukje se çfarë ndodhi me përpjekjet më të fundit për të thyer bllokadën e Gazës.

"Ata sulmuan me dron një anije disa muaj më parë, por shumicën e anijeve ata në fakt i zënë në ujëra ndërkombëtare", tha ai, duke shtuar: "Ata i marrin ato nën kontroll dhe i çojnë kundër dëshirës sonë në portin Ashdod dhe pastaj i fusin njerëzit në një burg izraelit për ditë, një javë ose më shumë".

Pavarësisht rreziqeve, ai tha se 28 mijë njerëz u ofruan vullnetarë për t'u bashkuar me flotiljen.

"Është vërtet e pabesueshme dhe flet për këtë lëvizje globale, pjesë e së cilës është edhe flotilja, dhe për të cilën mendoj se në fund të fundit, me rezistencën e popullit palestinez, do të ketë sukses. Përfundimisht, do të kemi një Palestinë të lirë", tha ai.

Politikani irlandez theksoi se rreziqet me të cilat përballen janë të parëndësishme në krahasim me atë që njerëzit kanë përjetuar çdo ditë që nga tetori i vitit 2023 në Gaza, ku Izraeli ka vrarë mbi 64.200 palestinezë, ka plagosur gati 161.600 të tjerë dhe ka krijuar zi buke që ka marrë qindra jetë të tjera, përfshirë fëmijë.

"Ne thjesht duhet të jemi të përgatitur dhe të qetë për shumë skenarë të ndryshëm", tha ai.


- "Përfundimisht do të ketë drejtësi"

Murphy tha se kishte marrë pjesë në një flotilje të mëparshme që u përpoq të thyente bllokadën në vitin 2011. Përpara se të arrinte në Gaza, tha ai, Izraeli i preu komunikimet dhe e rrethoi anijen me anije të mëdha.

"Pastaj ata dërgojnë anije me ushtarë mbi to, dhe ndoshta e godasin varkën tuaj me topa uji, dhe pastaj hipin në varkën tuaj me këta ushtarë të armatosur", tha ai.

Përpara nisjes së atëhershme, anijet e tyre u sabotuan dhe Izraeli ushtroi presion mbi autoritetet portuale greke që të mos lejonin anijet të largoheshin, shtoi ai. Si rezultat, misioni u vonua për disa muaj përpara se ata të lundronin me anije irlandeze dhe kanadeze.

"Ne u mbajtëm në paraburgim në Izrael për një javë përpara se të deportoheshim. Pra, pres, ose është shumë e mundshme, që të kemi përvojë të ngjashme", u shpreh ai.

Duke e quajtur bllokadën e Izraelit të paligjshme dhe luftën në Rripin e Gazës gjenocidale, Murphy tha se shtetet kanë detyrim ligjor sipas Konventës së Gjenocidit për të vepruar, për të parandaluar dhe për të provuar ta ndalojnë gjenocidin teksa ai është duke ndodhur.

"Po bëjmë gjithçka që mundemi për të ushtruar presion mbi Izraelin, për të ushtruar presion mbi qeveritë tona. Mendoj se shumë njerëz në Perëndim janë plotësisht të tmerruar dhe i kanë hapur sytë për karakterin e vërtetë të qeverive të tyre dhe karakterin e këtij sistemi imperialist në të cilin jetojmë", tha ai.

"Përfundimisht ne do të fitojmë dhe do të ketë drejtësi, edhe nëse nuk duket kështu sot", përfundoi Murphy.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.